Shkëlqen Lejson Zeqiri, Bashkimi e mposht kampionin e Kosovës - NACIONALE

Shkëlqen Lejson Zeqiri, Bashkimi e mposht kampionin e Kosovës

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Kampioni i Kosovës, KB Trepça, e ka pësuar humbjen e parë sezonale dhe atë vetëm pas tre xhirove, pasi është mposhtur nga Bashkimi me rezultat 71:64.

Malik Johnson u konfirmua si mungesë e madhe në lojën e mitrovicasve, pasi u pa që patën shumë probleme në organizimin e ndeshjes.

Në anën tjetër, Bashkimi e meritoi fitoren pasi ishte në epërsi gjatë tërë takimit.

10 minutat e parë të takimit përfunduan me epërsi prej 12 pikëve apo rezultat 21:9, teksa në çerekun e dytë Trepça tregoi lojë më të mirë, për të shkuar në pushim me disavantazh prej pesë pikëve, apo rezultat 32:27.

Vendasit vazhduan me efikasitet të lartë edhe në pjesën e dytë, duke e fituar çerekun e tretë 21:16 dhe për të shkuar në 10 minutat e fundit me 10 pikë epërsi.

Mitrovicasit ndonëse e fituan çerekun e fundit 21:18, pësuan humbje në fund 71:64, që është humbja e parë sezonale, pas dy fitoreve radhazi.

Në anën tjetër, Bashkimi, mbetet e vetmja skuadër pa humbje në Superligën e Kosovës, me tri fitore në po aq ndeshje.

Te prizrenasit shkëlqeu Lejson Zeqiri, i cili shënoi 18 pikë, teksa ndihmoi me pesë rebounds.

Paraqitje të mirë pati Mack Smith me 17 pikë, teksa Maliek White kontribuoi me 13 pikë.

Në anën tjetër, te Trepça, më i miri ishte Larry Thomas me 19 pikë, teksa dështuan shumë Cambridge e Hunter që patën vetëm gjashtë shënime nga 28 tentime.

Lajme të ngjashme