Shkëlqen Erjon Kastrati, Trepça e fiton finalen e tretë ndaj Yllit
KB Trepça është kthyer te fitorja, duke e mposhtur në finalen e tretë Golden Eagle Yllin me rezultat 83:76, dhe tani mitrovicasit janë një fitore larg për t'u bërë kampion i Kosovës për sezonin 2023/24.
Përballja e tretë u zhvillua në Minatori, e mbushur tërësisht me tifozë.
Çereku i parë i takoi mysafirëve nga Suhareka, që fituan me rezultat 21:11 apo 10 pikë epërsi.
Por skuadra e Adis Beciragic u kthye në lojë në 10 minutat në vazhdim duke përmbysur gjithçka, madje duke shkuar në pushim në epërsi prej gjashtë pikëve, apo rezultat 37:31.
Ylli, ashtu si në 10 minutat e parë, fitoi edhe çerekun e tretë, tani me rezultat 23:18, por pa arritur të kthejë epërsinë, me 10 minutat e fundit që mbetën për të vendosur fatin e takimit.
Mitrovicasit ishin dukshëm më të mirë në minutat e fundit të takimit, duke shënuar plot 30 pikë, për dallim nga Ylli që shënoi 24 pikë, dhe në fund Trepça iu gëzua fitores me shtatë pikë epërsi, 85:78.
Padyshim më i miri i takimit ishte Erjon Kastrati, që luajti rol të jashtëzakonshëm në sulm dhe mbrojtje. Ai shënoi 16 pikë, katër rebounds e dy asistime.
Capers u shqua me paraqitje të mirë me 19 pikë, ndërsa edhe Edge shënoi 15 e Edwards 12.
Në anën tjetër, Verge Jr ishte më i dalluari si gjithmonë, duke shënuar 28 pikë, por që Erjon Kastrati me lojë fantastike në mbrojtje arriti ta ndalte në shumë raste.
Me fitoren e sotme, Trepça është afër ta fitojë titullin kampion të Kosovës, pasi udhëheqë 2:1 në seri, dhe ndeshja e radhës në Suharekë mund të jetë vendimtare.