Shkëlqen Antony, Man United triumfon ndaj Nottingham Forestit
Manchester United ka shënuar fitore si mysafir i Nottinhgam Forestit, në kuadër të xhiros së 31-të në Premierligë.
"Djajtë e Kuq" fituan me rezultat 0:2, ku ishin më kërkues qysh nga minuta e parë.
Nottingham Forest kërkoi një penallti pas vetëm tre minutave lojë, pasi Harry Maguire preku topin me dorë brenda zonës por arbitri nuk e akordoi.
Vendasit ishin më të rrezikshëm në fillim duke pasur një rast edhe me anë të Scott McKenna, por nuk e finalizoi.
Ishte sulmuesi Antony që kaloi Man Unitedin në epërsi duke u gjendur në vendin e duhur dhe shënoi nga një top i kthyer (32'), rezultat me të cilin përfundoi edhe kjo pjesë.
Mesfushori Bruno Fernandes gjithashtu ishte pranë golit, mirëpo portugezi goditi traversën.
Fitoren e Man Unitedit e vulosi mbrojtësi Diogo Dalot, i cili shënoi nga afërsia pas një asistimi të mrekullueshëm të Antonyt (76').
Kështu, Man United tani merr pozitën e tretë në Premierligë me 59 pikë të mbledhura derisa Nottingham Forest rrezikoi rënien duke qenë në vendin e 17-të me 27 sosh.
Në xhiron e radhës, Nottingham Forest do të jetë mysafir i Liverpoolit, derisa Man Unitedi do të pushojë pasi ndeshja ndaj Chelseas është shtyrë.