Shkëlqejnë Lewandowski dhe Fati, Barcelona "shpartallon" Real Sociedadin
Barcelona ka marrë fitoren e parë për edicionin 2022/23 në La Liga, duke triumfuar bindshëm kundër Real Sociedadit.
Katalunasit fituan me rezultat të thellë 1:4, sfidë ku shkëlqyen Robert Lewandowski e Ansu Fati.
Pas vetëm 46 sekondave, Lewandowski kaloi Barcelonën në epërsi pas një kundëraksioni të shpejtë, ku pranoi një top të shkëlqyer nga talenti Alejandro Balde – VIDEO.
Por, vetëm pesë minuta më vonë Real Sociedad arriti ta barazojë rezultatin përmes qendërsulmuesit Alexander Isak, i cili realizoi gol të bukur me një parabolë, edhe pse u devijua paksa (6') – VIDEO.
Ferran Torres kishte një mundësi të mirë shënimi nga afërsia, por që nuk arriti ta finalizojë, derisa Real Sociedad rrezikoi disa herë përmes Merinos dhe David Silvas.
Pavarësisht këtyre rasteve, asnjëra skuadër nuk i konkretizoi kësisoj epilogu i kësaj pjese ishte 1:1.
Pjesën e dytë, Real Sociedad e nisi shumë më mirë duke shënuar, mirëpo pas rishikimit të VAR-it doli që ishte në pozitë jashtë loje.
Barcelona nisi këndelljen dhe arriti fitore padyshim falë zëvendësime Raphinha dhe Ansu Fati, që ndryshuan tërësisht ndeshjen.
Vetëm dy minuta pas inkuadrimit, Ousmane Dembele mori një asistim të shkëlqyeshëm nga Fati për t'i dhënë epërsinë katalunasve (66') – VIDEO.
Ndërsa, vetëm 180 sekonda më vonë Fati dhuroi shfaqje duke asistuar Lewandowskin me thembër, me këtë të fundit që e kishte të lehtë të realizonte nga afërsia (68') – VIDEO.
Fitoren e gjigantit blaugranas e vulosi vetë Fati pas një asistimi maestral të polakut, 11 minuta pa përfunduar koha e rregullt (79') – VIDEO.
Kështu, Barcelona merr fitoren e parë për këtë edicion duke u ngritur në pozitën e pestë në tabelë me katër pikë, derisa Real Madrid bie në pozitën e 10-të me tre sosh.
Në xhiron e radhës, Barcelona do ta pres Real Valladolidin në "Camp Nou", derisa Real Sociedadi do të jetë mysafir i Elches.