Shaqiri i bashkohet Zvicrës më herët
Sulmuesi Xherdan Shaqiri i është bashkuar kombëtares së Zvicrës më herët se sa ishte planifikuar.
Kapiteni i Chigago Fire është liruar më herët se ç’pritej, prandaj do t’i bashkohet skuadrës së drejtuar nga Yakin duke nisur nga e hëna.
Sipas medieve amerikane, vendimi për t’iu bashkuar Zvicrës më herët ishte marrë të premten, andaj Shaqiri do të nisë stërvitjet për t’u përgatitur për miqësoren e parë, ndaj Estonisë më 4 qershor.
Plot 38 lojtarë do të stërvisin së bashku nën urdhrat e Yakinit, në dy miqësore të këtij muaji, pastaj përzgjedhësi do të zgjedhë 26 prej tyre për t’i marrë në Kampionatin Evropian “Euro 2024”.
Yakin në listën prej 38 lojtarëve, ka marrë edhe gjashtë futbollistë shqiptarë si Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Uran Bislimi, Andi Zeqiri, Ardon Jashari si dhe u ftua për herë të parë Albian Hajdari.
Kujtojmë, Zvicra do të nisë Evropianin më 15 qershor në përballjen ndaj kombëtares që së fundmi mposhti Kosovën me rezultat 2:0, pra Hungarisë.