Shaqa drejt rikthimit në Evropë, gjiganti grek i ofron kontratë dyvjeçare
Sulmuesi Xherdan Shaqiri mund të rikthehet në Evropë në javët e ardhshme, me skuadrën greke Panathinaikos Athens që i ka ofruar kontratë dyvjeçare.
Anësori ishte rezervist në këtë Kampionat Evropian “Euro 2024” nën urdhrat e Murat Yakin, megjithatë për aq minuta sa luajti e dëshmoi kualitetin.
Shaqa është që dy vite e gjysmë pjesë e klubit amerikan Chicago Fire, mirëpo në këtë afat kalimtar veror mund të bëhet me skuadër të re.
Portali grek “SDNA” raporton se Panathinaikos Athens i ka bërë një ofertë zyrtare, duke i ofruar kontratë të vlefshme për dy vite.
Në rast që Shaqiri e pranon këtë ofertë atëherë duhet të pranojë një zbritje të madhe të pagës, duke marrë parasysh se momentalisht fiton rreth 3.5 milionë dollarë në Amerikë.
Shaqiri ende nuk ka reaguar për këto spekulime ndërsa mbetet të shihet nëse ka ndonjë ofertë më serioze se kjo e skuadrës greke.
Kujtojmë, ylli shqiptar ka karrierë të bujshme, duke luajtur për top klubet evropiane si Inter, Bayern Munich e Liverpool.