Sevilla triumfon ndaj Juventusit, i bashkohet Romës në finalen e Ligës së Evropës - NACIONALE

Sevilla triumfon ndaj Juventusit, i bashkohet Romës në finalen e Ligës së Evropës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sevilla ka arritur ta eliminojë Juventusin në gjysmëfinalen e Ligës së Evropës, duke siguruar "biletën" për në raundin e fundit ku e pret Roma.

Spanjollët triumfuan në shtëpi me rezultat 2:1 (3:2 rezultati i përgjithshëm), për t'u kualifikuar tutje.

Derbi doli të jetë shumë interesant nga minuta e parë, me vendasit që dominuan shumicën e kohës. Sevilla pati dy mundësi shënimi me anë të En Nesyri dhe Acuna, por Szczesny ia doli t'i ndalë të dy goditjet.

Juventus në fakt e gjeti golin e epërsisë me anë të mesfushorit Adrien Rabiot, por pas rishikimit të VAR-it goli u anulua për pozitë jashtë loje (44').

"Zonja e Vjetër" u tregua më e saktë në pjesën e dytë duke kaluar në epërsi me anë të Dusan Vlahovic, që u gjend në vendin e duhur pas një topi të kthyer (65') - VIDEO.

Sidoqoftë, vetëm shtatë minuta më vonë Suso realizoi një gol fantastik nga distanca për të barazuar rezultatin (72') - VIDEO.

Tutje, dy skuadrat kërkuan golin e fitores por që s'ia dolën prandaj ndeshja shkoi në vazhdime. Ishte Erik Lamela që bëri heroin për Sevillan duke realizuar një gol të bukur me kokë (95') - VIDEO.

Situata paksa u vështirësua për vendasit kur Marcos Acuna u ndëshkua me karton të kuq (115'), mirëpo arritën ta ruanin rezultatin.

Kësisoj, Sevilla avancon në finalen e Ligës së Evropës aty ku do të takohet me Romën që e eliminoi Bayer Leverkusenin.

Lajme të ngjashme