Sergio Busquets s’e pranon ofertën e majme nga klubi i ri i Ronaldos Al-Nassr - NACIONALE

Sergio Busquets s’e pranon ofertën e majme nga klubi i ri i Ronaldos Al-Nassr

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Mesfushori i Barcelonës Sergio Busquets e ka hedhur poshtë një ofertë fitimprurëse prej 20 milionë eurove në vit nga Al-Nassr, klubi saudit që së fundmi nënshkroi me Cristiano Ronaldon.

Fillimisht u raportua se Al-Nassr po përgatiste ofertë me pagë vjetore prej 13 milionë eurove për përfaqësuesin e Spanjës.

Por gazeta spanjolle AS zbuloi se, në fakt, Al-Nassr ia kishte ofruar rreth 20 milionë euro në vit Busquetsit, një e treta e asaj që do ta fitojë Cristiano Ronaldo këtë sezon.

Megjithatë, 34-vjeçari nuk e ka pranuar ofertën dhe tani e ardhmja e tij bëhet edhe më e paqartë.

Trajneri i Barcelonës, Xavi, ka qenë i zëshëm në dëshirën e tij për ta mbajtur mesfushorin veteran në klub, pavarësisht se kontrata e tij mbaron në verë dhe nuk ka pasur bisedime për kontratë të re.

Raportohet se edhe klubi i ish-yllit të Anglisë dhe Real Madridit David Bechkahm, Inter Milami, është i interesuar për të nënshkruar me Busquetsin, megjithëse nuk i ka bërë ofertë formale deri tani.

Duket se Al-Nassr është duke tentuar ta ndërtojë ekipin e ëndrrave në Arabinë Saudite.

Pasi nënshkruan me Ronaldon në dhjetor, drejtuesit e klubit saudit po tentojnë të nënshkruajnë edhe me Eden Hazardin e Real Madridit, Sergio Ramosin e Paris Saint-Germainit dhe Keylor Navasin.

Busquets shkëlqeu në triumfin e Barcelonës 3:1 kundër Real Madridit në finalen e Superkupës së Spanjës javën e kaluar në Arabinë Saudite dhe e ndien veten ende në gjendje të luajë në nivelin e lartë.

Lajme të ngjashme