Senegali i pashpresë: Do të përdorim magjistar për ta shëruar Manen, ai duhet të jetë në Botëror
Senegali dëshiron të bëjë gjithçka çfarë është e mundur nga dëshpërimi se mund të detyrohet të luajë në Kupën e Botës pa yllin kryesor Sadio Mane, saqë është menduar edhe përdorimi i magjistarit për ta shëruar sulmuesin e Bayern Munich.
Fitorja e Bayernit 6:1 kundër Werder Bremenit të martën prodhoi më shumë lajme se sa rezultat gjigant. Mane e pësoi një lëndim në fillim të asaj ndeshjeje dhe u tha fillimisht se ai do të mungonte në Botërorin e Katarit, që nis më 20 nëntor.
Natyra e lëndimit të tij dhe koha e shkurtër që ai ka për ta shëruar atë deri në fillimin e turneut, i ka bërë gjërat edhe më të vështira për Senegalin.
Senegali njoftoi sot se Mane është pjesë e skuadrës për Kupën e Botës, megjithatë.
Si lojtari më i mirë i kampionit të Afrikës, Mane është në mesin e 26 lojtarëve të thirrur për Botëror, por sa do t'ia dalë ai të shërohet plotësisht për të luajtur, mbetet të shihet.
Sekretarja e përgjithshme e FIFA-s, Fatma Samoura, e cila vjen nga Senegali, ka thënë se vendi i saj shpreson në një mrekulli. Dëshpërimi për mungesën e mundshme të Manes në Botëror është aq i madh në Senegal saqë ata po mendojnë të përdorin metoda të çuditshme për ta shëruar atë.
“Ne do të përdorim magjistar. Nuk e di (nëse është efektive), por do ta përdorim gjithsesi”, tha Samoura për Europe 1 Radio.

“Shpresojmë në një mrekulli. Ai duhet të jetë atje (në Botëror)”, shtoi ajo.
Mane do të shkojë në Botëror pothuajse i pastërvitur në dy javët e fundit dhe me siguri në gjendje të dobët fizike.
Bayerni njoftoi dje se Mane do të mungojë kundër Schalkes të shtunën. Ai pritet t’iu nënshtrohet testeve shtesë për ta mësuar shkallën e plotë të lëndimit.
Kjo është një kohë e vështirë për Manen, i cili duhet të vendosë nëse dëshiron ta ngutë procesin e shërimit nga lëndimi për të luajtur në Botëror për herë të parë në kurriz të shëndetit fizik.
