SC Gjilani me pronarë të rinj, Afrim Veliu president i klubit
Një nga skuadrat më të organizuara në vitet e fundit të Superligës së Kosovës, mbeti pa ‘zot shtëpie’ kur klubin e la biznesmeni Florim Zuka, me skuadrën që pati probleme qysh në nisje të sezonit të ri, por tani ‘Skifterët’ njoftojnë se SC Gjilani është bërë me pronarë të rinj, ku Afrim Veliu do të jetë presidenti i ri i klubit.
Sipas një komunikate zyrtare të klubit, Gjilani tashmë ka kaluar në duart e një grupi të ri të aksionarëve, që udhëhiqet nga tashmë presidenti Veliu, ndërsa pjesë e bordit do të jenë dhe aksionarët tjerë, si: Fatlum Pireva, Qëndrim Demiri, Valmir Emini dhe Shaban Bajrami.
Njoftimi i plotë i klubit në rrjetet sociale:
📣 𝐊𝐎𝐌𝐔𝐍𝐈𝐊𝐀𝐓Ë 𝐙𝐘𝐑𝐓𝐀𝐑𝐄: 𝐆𝐣𝐢𝐥𝐚𝐧𝐢 𝐦𝐞 𝐚𝐤𝐬𝐢𝐨𝐧𝐚𝐫ë 𝐭ë 𝐫𝐢𝐧𝐣
Sport Club Gjilani konfirmon ndryshimet në udhëheqësinë e klubit, duke bërë të ditur që tashmë klubi kalon në duart e grupit të aksionarëve të rinj me përfaqësues ztr. Afrim Veliun, i cili njëherit do të bartë postin e presidentit.
Pjesë e bordit të klubit do të jenë aksionarët e tjerë, Fatlum Pireva, Qëndrim Demiri, Valmir Emini dhe Shaban Bajrami.
Klubi ka qenë në proces të ndërrimit të pronësisë dhe pritjes së investitorëve strategjik për të përmirësuar rritjen e ardhshme të klubit, me qëllimin e vetëm për të përfituar nga mundësitë si në fushën e blertë ashtu edhe në anën komerciale.
Si pjesë e këtij procesi, klubi mori në konsideratë të gjitha alternativat strategjike, duke përfshirë investimet e reja në klub, stabilitetin financiar dhe atë sportiv, si dhe ndërtimin e një ekipi të ri konkurues pas ndryshimeve të shumta të bëra në afatin kalimtar të verës.
Bordi i ardhshëm i klubit do të bëj një vlerësim të disa nismave për ta forcuar klubin, duke përfshirë zhvillimin e infrastrukturës, rritjen e akadamisë së klubit, ndërtimin e nje strukture kompetitive për ekipin e parë dhe afrimin edhe me të madh të tifozëve me klubin.
Gjithashtu, drejtuesit e rinj shprehin falenderimet më të sinqerta për gjithë qytetarët gjilanas dhe jo vetëm, për mikëpritjen fantastike dhe durimin e shfaqur në kohët e krizës për klubin, i cili tashmë merr një rrugëtim të ri.
Zyra për shtyp
29 Gusht, 2023
