SC Gjilani e transferon Shqiprim Taipin
Gjilani ka njoftuar transferimin e 27-vjeçarit Shqiprim Taipi, i cili ishte pa skuadër nga fillimi i këtij viti.
Taipi ishte transferuar nga Kukësi te skuadra e elitës kazake, Kaspiy Aktau, në verën e vitit 2023, por që aventura e tij jashtë vendit nuk zgjati më shumë se gjashtë muaj.
Shqiprimi që luan pozitën e mesfushorit qendror dhe defanziv, është i lindur në Bujanovc, por që karriera e tij vazhdoi në Maqedoninë Veriore, ku luajti fillimisht te Shkëndija, e pastaj edhe te Horizonti e Shkupi.
27-vjeçari që vjen si lojtar i lirë te Gjilani, nuk e ka përvojën e parë në Superligën e Kosovës, pasi për gjashtë muaj ishte i huazuar te Prishtina gjatë pjesës së parë të vitit 2018.
Çaste më parë SC Gjilani e prezantoi si lojtarin e tyre më të ri, ku në një video të shkurtër lojtari tha: "Përshëndetje, unë jam Shqiprim Taipi, tash e tutje Kuqebardh."
Gjilani nuk është duke kaluar sezon të mirë, pasi gjendet në vendin e shtatë, aq pikë sa ka vendi i tetë Feronikeli pas 26 xhirove, ku rrezikojnë të jenë në zonën e play-offit për mbetjen në elitë.