Santos: As Ronaldo, as unë s'i kemi kërkuar asgjë FIFA-s, të gjithë ishim të pajtimit se goli ishte i Fernandes - NACIONALE

Santos: As Ronaldo, as unë s'i kemi kërkuar asgjë FIFA-s, të gjithë ishim të pajtimit se goli ishte i Fernandes

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Përzgjedhësi i Kombëtares së Portugalisë, Fernando Santos, ka folur në konferencë për shtyp një ditë para ndeshjes së fundit që do ta luajë kombëtarja e tij në fazën e grupeve. Ai foli edhe rreth çështjes së shumë diskutuar rreth golit kontestues të Bruno Fernandes.

Para disa ditësh u raportua në qarqe të ndryshme mediale se përfaqësuesit e kombëtares portugeze i kanë bërë kërkesë zyrtare FIFA-s që t'i pranohej goli i parë ndaj Uruguajit yllit të tyre, Cristiano Ronaldo, e jo Bruno Fernandesit, të cilit iu konfirmua më pas goli.

Sidoqoftë, demantimi i një lajmi të tillë erdhi nga vetë përzgjedhësi Santos, i cili mohoi kategorikisht që Ronaldo apo vetë ai ta kenë bërë një lutje të tillë.

"As unë, as Ronaldo nuk i kemi kërkuar asgjë FIFA-s. Ka gjithmonë lajme të rreme në medie për ta tërhequr vëmendjen. Të gjithë ishim të pajtimit që ka qenë një gol i Bruno Fernandes", tha ai.

Pavarësisht fjalëve të përzgjedhësit portugez, pamjet që u publikuan në ndeshjen Portugali 2:0 Uruguaj, sqaronin qartë zemërimin e Ronaldos pasi nuk iu akordua atij goli. I njëjti protestoi duke thënë se e kishte prekur topin, anipse diçka e tillë nuk u konfirmua kurrë nga asnjë mekanizëm.

Forma e mirë e Portugalisë

Mesfushori i Manchester Unitedit, Bruno Fernandes, po kalon në formë të jashtëzakonshme në këtë Botëror. Ai deri tani ka shënuar dy gola, duke ndihmuar edhe me dy asiste të tjera.

Ndërkaq Cristiano Ronaldo mbetet në kuotën e vetëm një goli të shënuar dhe atë e arriti në ndeshjen e parë ndaj Ganës, pas ekzekutimit të penalltisë, që edhe ashtu u kontestua se ishte tej mase bujare.

Portugalia ka siguruar kualifikimin tutje. Ajo do ta luajë nesër me fillim në ora 16:00 ndeshjen ndaj Koresë Jugore vetëm sa për formalitet.

Në 1/16 Portugalia do të ndeshet me kombëtaren që do të rëngohet në vendin e dytë në Grupin G, ku lufta do të jetë mes Zvicrës, Kamerunit dhe Serbisë, me "helvetët" që janë në përparësi të ndjeshme, pasi u mjafton vetëm një barazim ndaj kombëtares serbe nesër.

Lajme të ngjashme