Federata portugeze ankohet në FIFA: Kërkon që goli t’i regjistrohet Ronaldos e jo Bruno Fernandesit - NACIONALE

Federata portugeze ankohet në FIFA: Kërkon që goli t’i regjistrohet Ronaldos e jo Bruno Fernandesit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Federata e Futbollit e Portugalisë do të dërgojë dëshmitë e saj në FIFA se Cristiano Ronaldo e shënoi golin e parë në fitoren 2:0 kundër Uruguait në Kupën e Botës dhe jo Bruno Fernandes, për t’i kërkuar asaj që goli t’i regjistrohet 37-vjeçarit.

Fillimisht u duk sikur Ronaldo e kishte shënuar golin - duke e barazuar rekordin e legjendës Eusebio për më së shumti gola për Portugalinë në historinë e Kupës së Botës - pas një harkimi të Bruno Fernandesit në minutën e 54-të.

Ronaldo festoi si i çmendur pas këtij foli të epërsisë për Portugalinë në ndeshjen e dytë grupore kundër Uruguait.

Por disa minuta më vonë, FIFA njoftoi se goli i ishte regjistruar Fernandesit, pasi Ronaldo nuk e kishte prehur fare topin e harkuar nga mesfushori i Manchester Unitedit.

Dhe tani, sipas El Chiringuito TV në Spanjë, federata portugeze do të dërgojë dëshmi në FIFA për të dëshmuar se goli duhet t’i regjistrohet Ronaldos, pasi është e bindur se ai e kishte prekur atë me kokë.

Sipas të dhënave tejet të sakta nga senzori brenda topit të ndeshjes, Ronaldo nuk e kishte prekur topin te goli i parë, prandaj dhe nuk iu regjistrua atij.

Fernandes, ndërkohë, ka këmbëngulur se nuk ka rëndësi se kujt i regjistrohet ky gol, pasi për të rëndësi ka që Portugalia e ka siguruar kalimin në mesin e 16 më të mirëve në Katar.

“Nuk mendoj se ka rëndësi se kush e shënoi golin tani. Mendova që Ronaldo e preku, sepse ia pasova topin atij. Por me rëndësi është se ne fituam sonte kundër një kundërshtari të fortë”, tha Fernandes pas ndeshjes.

Ronaldo iu ankua gjyqtarit edhe në përfundim të ndeshjes, duke i bërë me gjeste se e kishte prekur topin me kokë.

Ai madje i kishte dërguar mesazh në telefon Piers Morganit, gazetarit britanik me të cilin e bëri intervistën bombastike që çoi në largimin e tij të parakohshëm nga Manchester Unitedit, duke i thënë se e kishte prekur topin.

Lajme të ngjashme