Rusia e dënon basketbollisten amerikane me 9 vjet burgim
Një gjykatë në Rusi e ka dënuar basketbollisten amerikane, Brittney Griner me nëntë vite burg nën akuzat për përdorim të drogave.
Ajo gjithashtu është detyruar të paguajë një dënim prej një milionë rubla apo rreth 16 mijë euro.
Griner u deklarua fajtore për akuzat për drogë, por e ka mohuar se i këto substanca i ka përdorur qëllimshëm.
31-vjeçarja, e cila është edhe fituese e medaljes së artë me Amerikën në Lojërat Olimpike, u ndalua në shkurt në një aeroport në afërsi të Moskës, ku në bagazhin e saj gjeten cigare elektronike që brenda tyre përmbante vaj kanabisi.
Kanabisi si substancë narkotike është e ndaluar në Rusi për përdorim, ashtu siç është e ndaluar në shumicën e vendeve nëpër botë.
Mbrojtja e basketbollistes amerikane tha se do ta apelojë vendimin e gjykatës së Khimkit që u mor në ditën e enjte.
Edhe presidenti amerikan, Joe Biden, reagoi për këtë rast duke thënë se Russia po e dënonte gabimisht basketbollisten dhe bëri thirrje që ajo të lirohet sa më shpejtë.
"Sot, shtetasja amerikane Brittney Griner mori një dënim me burg që tregon realitetin mbi Rusinë dhe atë që bota e dinte tashmë: Rusia po e ndalon gabimisht Brittneyn. Është e papranueshme dhe i bëj thirrje Rusisë që ta lirojë menjëherë në mënyrë që të jetë afër me të dashurit e vet dhe shokët e skuadrës.
Administrata ime do të vazhdojë të punojë pa u lodhur dhe të ndjekë çdo rrugë të mundshme për të sjellë Brittney dhe Paul Whelan në shtëpi të sigurt sa më shpejt të jetë e mundur", tha Biden.

Tani është e paqartë se sa kohë ajo do kalojë pas hekurave, por sipas redaktorit të BBC për Rusinë, SHBA dhe Rusia kanë diskutuar për shkëmbimin e mundshëm të burgosurve e në të cilën mund të përfshihet edhe Griner.
Raportimet në mediat amerikane sugjerojnë se trafikanti rus i armëve, Viktor Bout, i cili u burgos nga amerikanët mund të jetë pjesë e marrëveshjes së shkëmbimit për basketbollisten.

Prokurorët rusë kishin kërkuar më parë dënim prej nëntë vjet e gjysmë burg për Griner, por kryetarja e trupit gjykues në Khimki tha se si rrethanë lehtësuese do të llogaritet koha e qëndrimit në paraburgim tash e një kohë, prandaj vendimi është për nëntë vite të plota burg.
Griner ishte një nga basketbollistët me të ardhme të ndritur, kur kihet parasysh fakti se ishte zgjedhur si e para në raundin e parë në Draft WNBA në vitin 2013 nga skuadra Phoenix Mercury.
Sirtari i yllit të basketbollit amerikan është i mbushur me plotë medalje, duke qenë një herë kampione ne WNBA, tetë herë e përzgjedhur si All-Star, dy herë si koshashënuesja më e mirë, tetë herë lider në bllokada, tre herë fituese e titullit në Rusi, katër herë fituese e Euroligës, dy herë fituese në Lojërat Olimpike si dhe dy herë kampione e botës. Këto janë vetëm disa nga arritjet e shumta të basketbollistes amerikane.
Deri në arrestimin e saj, Griner, luante në dy skuadra, në WNBA me Phonenix Mercury dhe jashtë sezonit në Amerikë me skuadrën ruse, Ekaterinburg UMMC.