Rumania shpëton lehtë, UEFA e dënon me një ndeshje pa shikues dhe 52 mijë euro gjobë
Rumania ka mësuar dënimin nga organi më i lartë i futbollit evropian, UEFA, pas incidenteve të shkaktuara në ndeshjen ndaj Kombëtares së Kosovës, ku rumunët fituan 2:0 pas një pauze të gjatë të ndërprerjes së takimit pas shpalosjes së parullave nacionaliste si ‘Kosova është serbi’.
Ashtu siç pritej, Federata Rumune e Futbollit mori një gjobë me para financiar dhe një tjetër në lidhje me praninë e shikuesve në ndeshjen e radhës në shtëpi.
Rumania dënohet me 52,000 euro + qasje vetëm për shikuesit nën moshën 14-vjeçare në ndeshjen me Andorrën
Sipas faqes zyrtare të federatës rumune, ata nga Casa Fotbalului do të duhet të paguajnë një gjobë prej 52,000 euro. Gjithashtu, ndeshja ndaj Andorrës më 15 tetor do të luhet me dyer të mbyllura.
Megjithatë, lajmi i mirë është se fëmijët nën moshën 14 vjeç do të kenë qasje falas në stadium (me një shoqërues të rritur për çdo dhjetë fëmijë), ndaj “Trikolorët” në fund të fundit do të kenë mbështetjen e tifozëve në shtëpi.
Akuzat që rëndonin mbi Rumaninë, ishin: shfaqja dhe brohoritja e mesazheve politike, sjellje raciste e mbështetësve, ndezja e pishtarëve, hedhja e objekteve në fushë dhe bllokimi i zonave të qasjes publike.
Duke qenë se ka pasur gjithsej 5 akuza dhe Rumania është recidiviste (përsëritëse e këtyre rasteve), mund të konsiderohet se masat e UEFA-s janë shumë të lehta.