Rrudhani: Besojmë në kualifikim, për këtë po punojmë çdo ditë - NACIONALE

Rrudhani: Besojmë në kualifikim, për këtë po punojmë çdo ditë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Mesfushori i Kombëtares së Kosovës, Donat Rrudhani, pas stërvitjes së tretë të zhvilluar në kampin nacional në Hajvali, për faqen zyrtare të FFK-së është shprehur se e tërë skuadra beson në kualifikim dhe për këtë qëllim janë duke punuar çdo ditë.

Kosova do ta zhvillojë ndeshjen e parë kualifikuese më 25 mars të shtunën ndaj Izraelit, teksa pas tre ditësh kthehet në Fadil Vokrri për ta pritur Andorrën, në dy ndeshjet e para drejt ëndrrës së quajtur Kampionati Evropian.

Rrudhani i cili po paraqitet suksesshëm për Young Boys në kampionatin zviceran, thotë se atmosfera në kamp është fantastike dhe se janë duke punuar me përkushtim.

“Atmosfera është fantastike. Ushtrimet po shkojnë shumë mirë. Sot punuam më intensivisht, por gjithçka shkoi mirë. Jemi duke punuar me përkushtim dhe shpresoj që gjithçka të shkojë mirë.”

Në pyetjen për objektivin e Dardanëve, 23-vjeçari thotë haptazi se synojnë Evropianin, dhe për këtë kanë besim dhe dëshirë për ta arritur, ndërsa shton se forma e mirë do t’i ndihmojë drejt qëllimeve.

“Objektivi i kualifikimit në Evropian? Po, kjo është e qartë. Të gjithë kemi besim dhe dëshirë për ta arritur këtë gjë. Besoj se do të kualifikohemi, por kjo gjë arrihet vetëm me punë dhe për këtë arsye jemi duke punuar çdo ditë. Të gjithë jemi në top-formë dhe besoj se do t’ia dalim të gjithë së bashku. Izraeli? Është një kundërshtar relativisht i fortë, por besoj se do të kthehemi me rezultat pozitiv”.

Kosova gjendet në grupin I së bashku me Zvicrën, Rumaninë, Bjellorusinë, Izraelin dhe Andorrën.

Lajme të ngjashme