Rrahmani shumë pranë vazhdimit të kontratës, fillojnë të qarkullojnë detajet e para - NACIONALE

Rrahmani shumë pranë vazhdimit të kontratës, fillojnë të qarkullojnë detajet e para

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Amir Rrahmani është çështje kohe kur do të nënshkruajë rinovimin e kontratës me Napolin. Shtypi i afërt me klubin italian ka mësuar edhe detajet e para që kanë të bëjnë me kohëzgjatjen që do ta ketë kontrata e re.

Mbrojtësi kosovar ka arritur të rikuperohet nga lëndimi në kofshë që kishte pësuar në gjysmë të muajit tetor në ndeshjen kundër Cremoneses.

Në fund të javës së kaluar arriti që t’i bashkohet skuadrës në stërvitjet e plota. Një lajm i mrekullueshëm për Spallettin në prag të përgatitjeve që po i bën për ndeshjen ndaj Interit, e cila do të luhet më 4 janar e që shënon rikthimin e Serie A.

Mirëpo, lajmi kryesor për mbrojtësin 28-vjeç kosovar duhet akoma të vijë. Kemi të bëjmë me vazhdimin e kontratës së tij me Napolin.

Sipas medieve të afërta me klubin italian ai do të nënshkruajë kontratë trivjeçare. Zyrtarizimi i marrëveshjes pritet të kumtohet nga momenti në moment, pasi raportohet se gjithçka po shkon drejt rrugës së duhur. Me fjalë tjera, ai pritet të përfitojë edhe rritje të pagës.

Për momentin mbrojtësi kosovar gëzon një pagë vjetore prej 1.8 milionë eurosh. Duhet thënë që tani për tani është ndër më simboliket që kanë futbollistët e Napolit.

Kujtojmë se kontrata e përfaqësuesit dardan është e vlefshme deri në fund të qershorit të vitit 2024. Andaj klubi nuk ka ndër mend që të shtyjë më gjatë rinovimin e kontratës, për të rrezikuar më pastaj që sezoni i ri ta gjejë mbrojtësin në vitin e tij të fundit me kontratë me “Partenopei”.

Vetë Rrahmani sa herë që është pyetur nga gazetarët ka theksuar se është i lumtur që është pjesë e një skuadre të tillë, aq më shumë kur me të cilën ka gjasa të mëdha që edhe ta fitojë titullin kampion, meqë për momentin gëzon një kapital prej 8 pikëve epërsin ndaj Milanit duke udhëhequr në renditjen tabelore.

Napoli po shkëlqen edhe në Ligën e Kampionëve. Meritor në këtë ecuri mbresëlënëse të skuadrës patjetër që ka qenë edhe Rrahmani, i cili ka ndërtuar një kimi të mrekullueshme me Kim në qendër të mbrojtjes.

Lajme të ngjashme