Ronaldo ia dedikon babait të ndjerë golin e tij të fundit me Al Nassr
Ylli portugez, Cristiano Ronaldo, ia ka dedikuar babait të ndjerë, golin e tij të shënuar në fitoren 2:1 të Al Nassr ndaj Al Rayyan në Ligën e Kampionëve.
Kapiteni i Portugalisë shënoi golin e fitores me 14 minuta të mbetura, në ditëlindjen e 71-të të babait të tij Jose Dinis Aveiro.
Ronaldo, 39 vjeç, ngriti të dy krahët dhe shikoi nga qielli gjatë festimit të golit, në kujtim të babait të tij, i cili vdiq në vitin 2005 nga mëlçia, kur Ronaldo ishte në sezonin e tij të dytë në Manchester United.
“Goli i sotëm kishte një shije tjetër, do të më pëlqente që babai im të ishte gjallë, sepse sot është ditëlindja e tij”, tha në një deklaratë emocionuese Ronaldo pas ndeshjes.
Babai i tij nuk e pa Ronaldon të fitonte pesë tituj të Ligës së Kampionëve, pesë çmime të Topit të Artë dhe të çonte Portugalinë drejt triumfit në EURO 2016 si kapiten.
Ronaldo, i cili muajin e kaluar u bë lojtari i parë në histori që shënoi 900 gola, tha se nuk i ka mbetur "shumë kohë" në karrierën e tij.
“Më pëlqen ende të luaj futboll dhe e di që nuk kam shumë kohë në fushë”, tha ai.
"Rekordet janë pjesë e imja dhe jam mësuar t'i thyej. Nuk është më e rëndësishmja të konsiderohesh lojtari më i mirë apo të fitosh çmime. E rëndësishme është të kënaqesh dhe të jesh i dobishëm për klubin dhe kombëtaren. Kam ndier presion që nga dita e parë dhe mendoj se do ta ndiej deri në të fundit”.
Ronaldo ka fituar vetëm një titull, Kupën e Kampionëve të Klubeve Arabe, që kur iu bashkua Al Nassr në dhjetor 2022 pas largimit të tij nga Manchester United.
Ish-ylli i Real Madridit ka një kontratë me Al Nassr deri në qershor të vitit 2025. Al Nassr është i katërti në renditjen e Ligës Pro Saudite pas pesë ndeshjeve dhe pret Al Orobah të shtunën.