Ronaldo: I refuzova 350 milionë euro nga klubi saudit, është rrenë që mua s’më do askush
Cristiano Ronaldo thotë se e hodhi poshtë një marrëveshje prej 350 milionë eurove nga një klub i Arabisë Saudite në verë, e cila do ta kishte bërë atë futbollistin më të paguar në botë në historinë e futbollit.
Në një intervistë për TalkTV, Ronaldo theksoi se vendosi të qëndronte në Manchester United sepse ndihej i lumtur aty.
Gazeta spanjolle Marca raportoi se klubi saudit Al-Hilal i kishte ofruar sulmuesit portugez një marrëveshje dyvjeçare me përfitime 350 milionë euro.
“Kjo është e vërtetë, po e vërtetë”, tha Ronaldo i pyetur për thashethemet.
“Por ajo që shtypi vazhdon ta thotë, të gjitha rrenat se mua nuk më do askush, janë plotësisht të pavërteta”, këmbënguli 37-vjeçari.
“Unë ndihesha i lumtur këtu, të jem i sinqertë, isha i nxitur të bëja një sezon madhështor këtu. Por ata (mediat) vazhdojnë ta përsërisin se askush nuk e do Cristianon. Si ka mundësi që askush nuk e do një lojtar i cili i shënoi 32 gola sezonin e kaluar, me ekipin kombëtar?”
Për refuzimin e parave të majme nga klubi saudit, Ronaldo tha: “Është e vështirë, e vështirë. Por në anën tjetër, mendoja se isha i lumtur këtu dhe se ende isha në gjendje të shënoja gola”.

“Ende besoj se mund t’i shënojë shumë, shumë gola, dhe ta ndihmoj ekipin sepse ende besoj se jam i mirë dhe në gjendje ta ndihmoj ekipin kombëtar – madje edhe Manchester Unitedin. Por nëse nuk e ndiej se energjia përreth jush është në anën tuaj, atëherë është e vështirë”.
Ai shtoi: “Natyrisht, kritikat do të ekzistojnë tërë kohën, ‘ah, ai është 37 vjeç, ai nuk është më i njëjti’. Por dua ta shoh nëse disa të tjerë të moshës sime mund ta ruajnë nivelin që po e tregoj unë. Po, në këtë çast ndihem shumë, shumë mirë. Mendoj se do të jem i mahnitshëm në Kupën e Botës, jam i gatshëm fizikisht dhe mendërisht”.
Ronaldo i pushtoi ballinat botërore gjatë kësaj jave me intervistën për gazetarin britanik Piers Morgan, ku e goditi klubin e vet United, duke thënë se ndihet i tradhtuar nga ai, e kritikoi trajnerin Erik ten Hag, duke thënë se nuk gëzon aspak respekt për të, si dhe i kritikoi ish-bashkëlojtarët e vet, Wayne Rooney dhe Gary Neville, duke thënë ata nuk janë miqtë e tij pas kritikave të tyre ndaj tij.
