Ronaldo: Flas kur të dua, jam antiplumb - NACIONALE

Ronaldo: Flas kur të dua, jam antiplumb

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Cristiano Ronaldo e ka mbrojtur veten nga kritikat për kohën e publikimit të intervistës tronditëse me Piers Morganin, duke thënë se flet kur të dojë, si dhe iu ka bërë thirrje gazetarëve të mos iu bëjnë pyetje bashkëlojtarëve të tij te Portugalia rreth kësaj çështjeje.

Duke folur publikisht për herë të parë që prej intervistës, Ronaldo nënvizoi se nuk pendohet për kohën e publikimit të saj, megjithëse ajo i la nën hije përgatitjet e Portugalisë për Kupën e Botës në Katar.

Manchester Unitedi është duke kërkuar t’ia ndërpresë marrëveshjen 37-vjeçarit, pasi ai e kritikoi klubin dhe trajnerin Erik ten Hag.

Koha është gjithmonë koha. Nga pikëpamja juaj, e keni të lehtë ta shihni se si ne e zgjedhim kohën. Nganjëherë ju shkruani të vërteta, nganjëherë shkruani rrena. Nuk më duhet të merakosem çfarë mendojnë të tjerët”, tha Ronaldo.

Unë flas kur të dua. Të gjithë e dinë kush jam unë, e në çfarë besoj unë”, shtoi ai.

Bernardo Silva dhe Ruben Neves u pyet për Ronaldon dhe intervistën e tij gjatë konferencave për media të shtunën dhe të dielën në Katar.

Ronaldo ishte përfshirë edhe në një çast të sikletshëm me Bruno Fernandesin kur u takuan në kampin stërvitor të Portugalisë në Lisbon javën e kaluar, duke nxitur thashetheme se intervista ka mundur të shkaktonte telashe mes dy bashkëlojtarëve të Unitedit.

Ne po bënim shaka javën e kaluar. Aeroplani i tij ishte vonuar dhe unë e pyeta, ‘A erdhe me anije?’ Ju lutem mos iu bëni pyetje lojtarëve, bëjeni pyetje për Kupën e Botës”, këmbënguli ai.

Ronaldos nuk i bëmë përshtypje kritikat për intervistën dhe nuk tregoi aspak pendim për këtë.

Unë jam antiplumb. Unë bart kostum hekuri”, shtoi ai.

Çfarë tha Ronaldo në intervistën bombastike?

Ronaldo, 37 vjeç, tha gjatë intervistës së ndihet i tradhtuar nga Manchester Unitedi.

Manchester United u përpoq të më detyronte të largohesha. Jo vetëm trajneri (Ralf Rangnick), por edhe njerëzit e tjerë që janë përreth klubit. U ndjeva i tradhtuar”, tha Ronaldo.

Ndiej se disa njerëz nuk më donin në Manchester United, jo vetëm këtë vit por edhe sezonin e kaluar”.

Ai nuk ngurroi ta godasë edhe trajnerin e tanishëm të djajve të kuq, Ten Hag, duke e pranuar se nuk e respekton.

"Nuk kam respekt për të pasi ai nuk tregoi respekt për mua. Nëse nuk ke respekt për mua, asnjëherë nuk do të kam respekt për ty", shtoi Ronaldo.

Ronaldo kishte refuzuar të futej në lojë si zëvendësues kundër Tottenhamit dhe pastaj ishte larguar nga stadiumi para përfundimit të ndeshjes muajin e kaluar.

Unitedi po fitonte me dy gola epërsi, kur 37-vjeçari u largua drejt tunelit të stadiumit ende pa përfunduar ndeshja dhe si pasojë Ten Hag e largoi përkohësisht nga skuadra dhe e detyroi të stërvitej me ekipin e të rinjve.

Ronaldo u rikthye në Old Trafford në fillim të sezonit 2021/22, pasi ishte bindur nga ish-trajneri, legjenda Sir Alex Ferguson t’i ribashkohej klubit 12 vite pasi ishte larguar në drejtim të Real Madridit.

Sezoni i tij i dytë në United pas kthimit në klub, megjithatë, nuk ka shkuar sipas planit, pasi Ronaldo e humbi vendin e titullarit dhe u kritikua shumë për veprimet që bënte si pasojë.

Lajme të ngjashme