Ronaldo do ta mbyllë sezonin pa asnjë trofe, kishte një natë për t’u harruar kundër Atl Madridit
Netët e bujshme të Ligës së Kampionëve janë shndërruar shpesh në net të Cristiano Ronaldos, por kështu nuk ndodhi të martën në Teatrin e Ëndrrave, pasi sulmuesi portugez dështoi ta frymëzojë Manchester Unitedin kundër Atletico Madridin dhe djajtë e kuq u rrëzuan nga gara në rrethin e 16 më të mirëve.
Atletico Madridi e mundi 1:0 Manchester Unitedin falë një goli të mbrojtësit anësor Jodan Lodi në ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales dhe kaloi në çerekfinale më rezultat të përgjithshëm 2:1, pasi ndeshja e parë në Madrid kishte mbaruar baras 1:1.
Ky dështim i Manchester Unitedit dhe Ronaldos nënkupton se ata nuk do ta fitojnë asnjë trofe në sezonin 2021/22, pavarësisht se kanë mbetur edhe gati tre muaj deri në përfundim të tij.
Cristiano Ronaldo will finish a season without a club trophy for the first time in 12 years 🤯 pic.twitter.com/wc9mNSPYAi
— GOAL (@goal) March 15, 2022
Ronaldo u ktheu në klub verën e kaluar për t’i ndihmuar Unitedit të luftojë trofe, por ai tani duhet të pajtohet me sezonin e tij të parë pa trofe në 12 vitet e fundit.
Në fakt, 37-vjeçari ishte ndër më të dobët në fushë për skuadrën e Ralf Rangnick, pasi nuk arrit ta bëjë asnjë goditje në portën e portierit Jan Oblak gjatë 90 minutave lojë.
Vetëm kundër Panathinaikos në vitin 2003, kundër Barcelona në vitin 2011 dhe sonte, Ronaldo ka dështuar të bëjë goditje drejt portës në garën elitare evropiane për klube.
Për Unitedin, ky do të jetë edhe një sezon tjetër pa trofe.
Trofeu i Ligës së Evropës nën udhëheqjen e Jose Mourinhos në vitin 2017 ishte i fundit që djajtë e kuq e fituan.
Ronaldo, në anën tjetër, e ka fituar të paktën një trofe cdo sezon në 12 vitet e fundit.
Kjo do të jetë hera e parë që prej sezonit 2009/10, sezoni i tij i parë në Real Madrid, që Ronaldo nuk e fiton asnjë trofe.
Unitedi është rrëzuar nga gara në Carabao Cup, FA Cup dhe Ligën e Kampionëve tashmë.
Edhe pse matematikisht ende në garë për titull në Premierligë, Unitedi ngel 20 pikë mbrapa liderit dhe rivalit Manchester City, një epërsi që është ekstremisht e vështirë për t’u përmbysur në nëntë ndeshjet e mbetura në ligë.