Romero shpjegon pse i bërtiti në fytyrë Mbappes në finalen e Botërorit
Mbrojtësi i Argjentinës, Cristian Romero, ka shpjeguar pse i bërtiti në fytyrë sulmuesit të Francës, Kylian Mbappe, gjatë finales së Kupës së Botës 2022 në dhjetor.
Gjatë kësaj përballjeje drithëruese – të cilën Argjentina e fitoi në penallti pas barazimit 3:3 – mbrojtësi i Tottenhamit u pa duke i piskatur kundërshtarit francez.
Romero tani ka shpjeguar pse e kishte bërë një gjë të tillë ndaj golashënuesit më të mirë të këtij Botërori dhe po ashtu tregoi se kohë pas kohe e rishikon finalen historike.
Duke folur për D Sports Radio, Romero tha: “Bërtita në fytyrë të Mbappes për ta festuar golin tonë”.
“Sepse Enzo (Fernandez) kishte biseduar me të dhe Mbappe e kishte trajtuar atë shumë keq. Pas kësaj, unë e festova golin e Leos (Messit) në fytyrën e tij”.
Është e paqartë se kur kishte ndodhur ky konfrontim mes Mbappes dhe Fernandezit, por ai u bë i ditur nga Romero, i cili foli për të më vonë.

Romero u pa duke bërtitur në fytyrën e Mbappes pas golit të tretë të Argjentinës në vazhdime, kur Messi shënoi nga afërsia për 3:2. Mbappe e barazoi rezultatin në 3:3 pak para fundit duke shënuar nga penalltia, por Argjentina ia doli të triumfojë në penallti në fund.
“E shikova penalltinë e Leos, e cila ishte e vetmja që e shikova. Penalltitë e tjera nuk i shikova, sepse isha në gjunjë duke u lutur”, tregoi mbrojtësi i Tottenhamit.
Ai po ashtu e lartësoi Messin si më të mirin në historinë e futbollit.
“Nga pikëpamja e futbollit, ne e dimë çfarë përfaqëson Messi. Për mua dhe shumë të tjerë, ai është më i madhi në histori”, theksoi Romero.
“Ai është i thjeshtë dhe i përulur në jetën e përditshme dhe kjo e bën edhe më të madh”, shtoi ai.

