Romario: Kam mbi 1 mijë gola të shënuara, CR7 nuk mund të shënojë aq shumë
Legjenda braziliane, Romario ka deklaruar se ylli i Manchester Unitedit, Cristiano Ronaldo nuk mund të shënojë mbi 1 mijë gola, aq sa ka që pretendon ai.
Romario është një ndër golashënuesit më të mirë në histori, e njësoi si Pele, pretendon që ka mbi 1 mijë gola të shënuara, edhe pse zyrtarisht nuk është një gjë e tillë.
Në një intervistë së fundmi në kanalin "Que Pabinho", me youtuberin Casimiro Miguel, Romario u pyet për mundësinë që Cristiano, aktualisht me 815 gola, të arrijë të njëjtën pikë dhe përgjigja e tij ishte e prerë.
“Është e pamundur të arrish 1 mijë gola, sepse nuk ka njeri pranë tij. Nëse do të kishte një Romario me vete, Ronaldo mund ta arrinte. Është e vërtetë që ai tashmë ka 800 gola, por është 37 vjeç, nuk do të mund ta bëjë, të arrijë në 1 mijë gola. Pra, u përpoqa”, deklaroi ai.
Aktualisht 56 vjeç, Romario pretendon se ka kaluar barrierën e 1 mijë golave si lojtar. Megjithatë, sipas numërimit zyrtar, ai ka shënuar 747 gola gjatë karrierës së tij.
Nëse shohim ndeshjet dhe golat zyrtare, Ronaldo e ka epitetin e golashënuesit më të mirë në histori, derisa Romario nuk është braziliani i vetëm me ‘këso deklaratash’ pasi edhe Pele thotë se ka të regjistruara 1 mijë e 294 gola në karrierë.
Ylli i Manchester Unitedit vazhdon të luajë në nivelet më të larta evropiane, e momentalisht në kërkim të një klubi të ri, me të cilin synon ta fitojë sërish Ligën e Kampionëve.
Raportohet se dëshira e portugezit për largimin nga “Djajtë e Kuq”, mbetet Liga e Kampionëve pasi është golashënuesi, asistuesi më i mirë në histori të kompeticionit si dhe ka disa rekorde tjera.