Romano: Ronaldo pranë Al Nassr, po diskutohen detajet e fundit
Eksperti i transferimeve të lojtarëve, Fabrizio Romano, në llogarinë e tij në “Twitter” ka njoftuar se Cristiano Ronaldo është pranë zyrtarizimit tek Al Nassr.
Të gjithë po raportojnë njëzëri këtë mbrëmje se Ronaldo është duke e kompletuar transferimin në Arabinë Saudite.
Konfirmimi i radhës vjen nga gazetari italian dhe njëherësh eksperti i transferimeve të lojtarëve, Fabrizio Romani, i cili shkruan se vetëm disa detaje të fundit kanë mbetur për t’u rregulluar para se të vijë zyrtarizimi.
“Al Nassr është duke e mbyllur marrëveshjen për Cristiano Ronaldon. Takimi po vijon, ku synimi është të kontrollohet gjithçka rreth kontratës dhe të rregullohen dokumentet e fundit”, nënvizo ai.
“Kontrata do të jetë valide deri në qershorin e vitit 2025, ashtu siç ishte paraparë. Paga e tij do të jetë afro 200 milionë euro në vit, duke përfshirë këtu edhe ujditë komerciale”, përfundoi Romano.

Raportimet e para erdhën nga Arabia Saudite gjatë orëve të para të mbrëmjes, kur thuhej madje që ylli portugez ka nënshkruar dhe se zyrtarizimi është çështje orësh.
Lajm që me kalimin e orëve gjeti konfirmime të njëpasnjëshme edhe në mediet evropiane. Sipas “Marca” 99% e negociatave mes palëve kanë mbaruar me sukses dhe tani kanë mbetur vetëm disa detaje të vogla për t’u rregulluar.
Ronaldos gjatë muajve të fundit futbolli evropian ia ktheu shpinën, pasi rendimenti i tij ka lënë për të dëshiruar, me një formë gjithnjë e në rënie, e cila u evidentua edhe në Kupën e Botës, kur Ronaldo nuk arriti të bindte.
Ai në fazën e eliminimit direkt humbi edhe pozitën e titullarit. Ish-përzgjedhësi Santos para tij preferoi sulmuesin Ramos.
