Roma triumfon në Derby della Capitale ndaj Lazios - NACIONALE

Roma triumfon në Derby della Capitale ndaj Lazios

3 javë më parë

nga NACIONALE

Ka përfunduar një nga derbit më të zjarrtë në futbollin italian, ku Roma ka triumfuar minimalisht 1:0 ndaj Lazios në atë që njihet si Derby della Capitale.

Takimet mes këtyre dy skuadrave janë gjithmonë të luftuara dhe të ashpra, duke ditur kundërshtimet mes njërës dhe tjetrës, sidomos në anën e tifozëve, ku hiç më larg se sot në mëngjes u publikuan pamje nga përplasja e ashpër mes ultrasve.

Derby della Capitale njihet pasi dy skuadrat vijnë nga kryeqyteti Roma dhe luajnë në stadiumin Olimpico, ku sot avantazhin e vendasit e kishte skuadra e Daniele De Rossit.

Roma ishte skuadër diçka më e mirë përgjatë 90 minutave, me ndeshjen që u fitua fal një goli.

Raste të krijuara kishte të shumta në këtë takim, por gjuajte në drejtim të portës ishin vetëm katër (tri nga Roma dhe një nga Lazio).

Goli i vetëm i takimit u shënua tre minuta para përfundimit të pjesës së parë, kur Dybala harkoi nga këndi, me Gianluca Mancini që u shkëput më së larti për të shënuar me kokë për 1:0.

Në vazhdim të takimit, Lazio pati një rast të mirë, por që nuk realizoi, ndërsa Roma me sukses arriti ta mbronte rezultatin për një fitore shumë të rëndësishme.

Tri pikë për skuadrën e De Rossit sot janë të vlefshme në garën për një vend që dërgon në Ligë të Kampionëve, pasi tani gjenden vetëm dy pikë prapa vendit të katërt Bolognës (që ka një ndeshje më pak), ndërsa Lazio tani rrezikon ta humbë edhe vendin e shtatë.

Lajme të ngjashme