Roma e nis me fitore edicionin e ri, mposht me shumë mund Salernitanan - NACIONALE

Roma e nis me fitore edicionin e ri, mposht me shumë mund Salernitanan

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Roma e ka nisur me këmbë të mbarë edicionin 2022/23 në Seria A, duke mposhtur Salernitanan.

Klubi i drejtuar nga Jose Mourinho ka fituar me rezultat minimal 0:1 në udhëtim te Salernitana, sfidë të cilën e dominuan në shumicën e takimit.

Pas vetëm 10 minutave lojë Nicolo Zaniolo kishte një mundësi të mirë, por që goditja e tij u ndal portieri Luigi Sepe, i cili bëri një super pritje.

Sidoqoftë, sulmet e Romës veçse u shtuan dhe e gjetën golin përmes Bryan Cristante, që shënoi një gol tejet të bukur nga distanca.

Pas një topi të kthyer, Cristante gjuajti nga distanca me topin që u devijua nga mbrojtësit dhe pastaj përfundoi brenda rrjetës (33').

Tutje, Paulo Dybala kishte një mundësi të mirë shënimi në debutim në Seria A, por që fatkeqësisht goditi shtyllën.

Në pjesën e dytë, dy skuadrat u mbrojtën më shumë me Romën që vazhdonte ta mbante posedimin e topit mirëpo nuk i konkretizuan rastet.

Vendasit gjithashtu provuan disa herë përmes disa kundërzbritjeve, por prapë ishin të pasuksesshme.

Përpos kësaj, te Roma debutoi edhe nënshkrimi tjetër - pra mesfushori Gini Wjnaldum që u inkuadrua në fushë në minutën e 79-të duke zëvendësuar Nicolo Zaniolon.

Holandezi zhvilloi paraqitje të mirë për minutat që zhvilloi duke kontribuar në krijimin e disa aksioneve. Në fakt, ai edhe shënoi në portën e Salernitanas por që goli iu anulua për pozitë jashtë loje pas rishikimit të VAR-it.

Kështu, Roma e nis siç duhet këtë edicion duke arkëtuar pikët e plota në sfidën hapëse, ku mban pozitën e tetë me tre pikë, derisa Salernitana bie direkt në vendin e 17-të pa pikë.

Në xhiron e radhës, skuadra e Mourinhos do ta mirëpres Cremonesen, derisa Salernitana do të udhëtojë për përballjen kundër Udineses.

Lajme të ngjashme