Roma e mban Lukakun vetëm nëse plotësohen këto dy kushte
Sulmuesi Romelu Lukaku do të donte qëndrimin te Roma dhe klubi italian është i interesuar për të mbajtur sulmuesin, mirëpo dy kushte duhet të plotësohen për ta kompletuar marrëveshjen.
30-vjeçari është ndër lojtarët e paktë që nuk kanë përfituar direkt nga ndryshimi i Mourinhos me De Rossin, pasi ka menaxhuar të realizojë vetëm tre gola në Serie A dhe Ligën e Evropës që kur ky i fundit mori drejtimin në janar.
Pavarësisht rënies në formë, Lukaku dëshiron të qëndrojë te Roma për sezonin tjetër pasi po e shijon kohën në qytetin italian.
Kontrata e tij aktuale me Chelsean skadon më 2026, por belgu nuk është duke menduar ta veshë më fanellën e kaltër.
“Gazzetta dello Sport” raporton se Roma nuk ka humbur besimin te Lukaku dhe besojnë se është lojtari kyç për të ndihmuar klubin që të luftojë me Bolognan për pozitën në top katërshe.
Kushti i parë që Roma të tentojë ta mbajë Lukakun është nëse sigurojnë pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve, që mund të thuhet se është obligative, ndërsa i dyti është që të arrihet marrëveshja me “Blutë” për vazhdimin e huazimit.
Roma nuk mund të paguajë direkt atë që kërkon Chelsea, pra rreth 43 milionë euro dhe t’i ofrojë lojtarit një pagë prej 7.5 milionë euro për sezon në tre vitet në vijim, meqenëse kosto total do të shkonte rreth 80 milionë euro.