Rodrygo komenton të ardhmen pas interesimit të klubeve arabe
Rodrygo ka insistuar se nuk ka dëshirë për t’u larguar nga Real Madridi pavarësisht interesimit të klubeve nga Arabia Saudite.
Që kur Kylian Mbappe ka arritur në Madrid, braziliani ka qenë i lidhur me largimin nga “Santiago Bernabeu”, ku destinacioni më i mundur është parë Al Hilal, që e shohin si pasuesi i Neymar Junior.
I pyetur për interesimin e klubeve, Rodrygo mohoi se po e konsideron ndonjë largim nga Reali.
“Nuk di shumë për ofertat e klubeve tjera, ajo është punë për babain tim, i cili është agjenti im njëkohësisht”.
“Sinqerisht. Jam shumë i lumtur këtu, dua të qëndroj për shumë vite dhe jam falënderues. Nuk e di nëse klubi ka ndonjë ofertë”, shtoi ai.
Rodrygo ndërkohë është ndarë i lumtur me lëvdatat që ka marrë nga trajneri i Manchester Cityt Pep Guardiola, i cili e vlerësoi brazilianin si “thuajse i pandalshëm”.
“I lumtur që i dëgjoj këto lëvdata sepse është ndër trajnerët më të mirë në historinë e futbollit. Por, shpresoj se gjithçka shkon mirë për Madridin”.
Ndërkohë, përballja mes Manchester Cityt dhe Real Madridit do të zhvillohet të martën me fillim nga ora 21:00.