Rio Ferdinand: Në krahasim me De Jongun, blerja e Rabiot është një hap mbrapa
Ish-mbrojtësi i “djajve të kuq”, Rio Ferdinand, ka dhënë opinionin e tij në lidhje me interesimin enorm të Manchester Unitedit për Adrien Rabiot.
Njëra prej temave më të diskutuara të orëve të fundit është përpjekja e klubit më të madh me tituj të fituar në Premierligë, Manchester Unitedit, për t’i siguruar shërbimet e mesfushorit francez, Rabiot.
Pavarësisht se përpjekjet e klubit anglez kanë qenë të mëdha për ta pasur në radhët e veta një lojtar si De Jong, diçka e tillë nuk ka shënuar produktivitet, qoftë për mosinteresim të madh të lojtarit apo edhe për vetë Barcelonën, e cila në disa raste përmes Joan Laportan, ka shfaqur ambicie për ta mbajtur lojtarin pjesë të skuadrës.
Prandaj, interesimin e ditëve të fundit për Rabiot, një ish-lojtar i spikatur i Manchester United si Rio Ferdinand, e vlerëson si një hap mbrapa në krahasim me objektivin parësor që ishte më herët: De Jong.
Çfarë konkretisht mendon Ferdinand për Adrien Rabiot?
Nëse flitet për Manchester United, ndër emrat e parë që pyeten për zhvillimet në klubin anglez, është Rio Ferdinand.
I gjendur tani në cilësinë e opinionistit, ai ka dhënë në formë të hapur mendimin e vet për atë nëse Rabiot mund të jetë i dobishëm për skuadrën e Ten Hag.
“Padyshim që është lojtar me talent të madh. Ka një këmbë të majtë të mirë dhe është brilant kur mban topin në kontroll i ndodhur nën presion. Mirëpo, brengosja ime më e madhe është se për atë pozitë që ka, shënon pak gola. McTominay ka shënuar më shumë në sezonet e fundit”, ka shtuar ai.
Tutje, Ferdinand ka thënë se blerja e mundshme e Rabiot nënkupton se do të ishte zdhedhje dukshëm më e zbehtë sesa ajo e De Jong.
“Natyrisht, do të ishte opsioni i dytë, tretë apo katërt mbrapa De Jong. Në klub mendonin se situata e De Jong do të ndryshonte, por nuk është kështu. Sipas mendimit tim, në krahasim me mesfushorin anglez, është një hap mbrapa. Një herë e kam intervistuar David Luizin sa ishte pjesë e PSG. Ai më thoshte se ishte njëri ndër talentët më të mëdhenj të skuadrës, por vetëm i nevojitej që ta rregullonte qasjen. Megjithatë, nuk ia ka dalur që ta arrinte kulmin që Luiz imagjinonte për të”, nënvizoi ai.

