Rikthehet Superliga Evropiane, tani me format të ri shumëdimensional
Superliga Evropian, me një pamje të re, pritet të jetë e hapur dhe t’i përmbajë deri në 80 ekipe në një format shumëdimensional, ka zbuluar shefi ekzekutiv i kësaj gare të së ardhmes.
Për dallim nga plani i mëhershëm i Superligës Evropiane që gara të ketë klube anëtare të përhershme, me planin e ri gara nuk do të ketë anëtarë të përhershëm por vetëm klube pjesëmarrëse në bazë të paraqitjeve, ka thënë shefi ekzekutiv i A22, Bernd Reichart, për gazetën gjermane Die Welt.
Ekipeve do t’iu garantohej më së paku 14 ndeshje në sezon, tregoi ai.
A22, një kompani e formuar për ta sponsorizuar dhe ndihmuar krijimin e Superligës Evropiane, është konsultuar me gati 50 klube evropiane që prej tetorit të kaluar dhe i ka zhvilluar 10 parime bazuar në konsultimet me klubet për krijimin e ligës së re.
“Themelet e futbollit evropian rrezikojnë të shemben. Ka ardhur koha për një ndryshim. Por kur vjen puna për të marrë vendime të rëndësishme, ata shpesh detyrohen të rrinë duarkryq derisa fondacionet sportive dhe financiare fillojnë të rrënohen përreth tyre”, shkroi ai për gazetën gjermane.
“Gjatë bisedimeve tona u bë e qartë po ashtu se klubet shpesh e kanë të pamundur të flasin publikisht kundër sistemit, i cili i kërcënon me pezullim apo dëbim”, shtoi ai.
Reichart tha se Superliga do të jetë garë e hapur, me kualifikim në të që do ta arrihet përmes paraqitjeve në ligat vendore dhe të gjitha ekipet e saj do të marrin pjesë edhe në ligat e tyre vendore.

