Rennes e mposht Milanin por kuqezinjtë kualifikohen në 1/8 e finales të Ligës së Evropës - NACIONALE

Rennes e mposht Milanin por kuqezinjtë kualifikohen në 1/8 e finales të Ligës së Evropës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Milani ka pësuar humbje në ndeshjen e kthimit me rezultat 3:2 nga Rennes në kuadër të play-offit të Ligës së Evropës, por për shkak të fitores në ndeshjen e parë me rezultat 3:0, kuqezinjtë me rezultat të përgjithshëm janë kualifikuar në 1/8 e finales.

Skuadra e Stefano Piolit përballjen e parë në San Siro e fituan me tre gola të shënuar dhe asnjë të pranuar, që ishte një avantazh i madh për ndeshjen e sotshme.

Rennes në disavantazh prej tre golave, hyri në fushë shumë ofenzive, duke arritur të rrezikonte në shumë raste, madje kontrolluan edhe posedimin e topit.

Vendasit shënuan qysh në minutën e 11-të, me anë të Bourigeaudit për 1:0.

Por Milani reagoi shumë shpejt, duke barazuar 11 minuta më pas me anë të sulmuesit serb, Luka Jovic, i asistuar nga Theo Hernandez.

Me rezultatin 1:1 përfundoi pjesa e parë.

Bourigeaud shënoi golin e dytë personal, kësaj radhe nga penalltia, duke çuar Rennesin përsëri në epërsi në minutën e 54-të.

Reagimi edhe kësaj radhe ishte i shpejtë nga kuqezinjtë, me Rafael Leaon që shënoi për të barazuar rezultatin në 2:2.

Në minutën e 68-të përsëri u akordua penallti për vendasit, dhe Bourigeaudi kompletoi hettrikun e tij, me Rennes që doli për herë të tretë në epërsi në këtë takim.

Deri në fund nuk pati ndryshim të rezultatit dhe Rennes me kokën lartë doli fituese nga ky takim me rezultat 3:2, por u eliminuan për shkak të rezultatit të përgjithshëm në të mirë të Milanit 5:3 nga dy ndeshjet.

Milani do ta vazhdojë garën tani në 1/8 e finales, fazë kjo që fillon më 7 mars, e ndeshjet e kthimit zhvillohet më 14 mars.

Lajme të ngjashme