Reja: Nëse unë jam problemi i Shqipërisë, të ma thotë presidenti Duka – s’më bëjnë përshtypje kritikat - NACIONALE

Reja: Nëse unë jam problemi i Shqipërisë, të ma thotë presidenti Duka – s’më bëjnë përshtypje kritikat

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Edy Reja është intervistuar në fund të ndeshjes nga “SuperSport”, pas një rezultati dëshpërues që arkëtuan “kuqezinjtë” ndaj Islandës, duke barazuar 1:1, edhe pse për 88 minuta ishin me një lojtar më shumë në fushë.

I nevrikosur dhe mjaft temperament u tregua në fund të ndeshjes Edy Reja, kur u intervistua nga gazetarët shqiptarë të “SuperSport”.

Ai fajin për krizën e Shqipërisë ia la më së shumti mungesave të shumta në kombëtare, duke thënë se ndihet mjaft mirë me atë çfarë ka punuar deri më tani, sepse, siç thotë ai, “kam qenë i ndershëm në angazhimin tim”.

Trajneri italian u pyet nëse e sheh veten fajtor të kësaj krize të Shqipërisë.

“Nëse unë jam problemi i Shqipërisë, s’e kam asnjë problem. Të ma thotë presidenti Duka. Mirëpo unë kam ndërgjegjen e pastër, pasi kam punuar shumë. Unë kam përgjegjësitë e mia, por nëse lojtarët nuk arrinë ta shpijnë topin në rrjetë, atëherë nuk është faji im. Ndoshta duhet ta pranojmë. Jemi këta”, tha ai

Sa i përket ndeshjes kundër Islandës ai nënvizoi se ekipi duhej që të ishte më i aftë që ta menaxhonte epërsinë e krijuar.

“Ishim në epërsi numerike dhe duhej të menaxhonim mirë ndeshjen, por nuk arritëm ta mbyllnim dhe më pas dihej që ata ishin më të fortë fizikisht. U zëvendësua Gjasula, sepse nuk ndihej mirë, por vetëm pak çaste më pas u dëmtua Ismajli dhe ne nuk kishim më zëvendësime. Kishim edhe mungesa të shumta, gati 7-8 lojtarë të rëndësishëm. Ata që luajtën dhanë më të mirën, por në fund mund të fitonim, nëse do të tregonim pak kujdes. Më vjen shumë keq, pasi e flakëm tutje këtë ndeshje dhe vijmë të flasim këtu për të njëjtat gjëra”, shtoi ai.

Ai shprehi keqardhje për kontestimet e tifozëve shqiptarë. Reya ndër të tjera tha se në nëntor i skadon kontrata dhe do të bisedojë me presidentin e Federatës së Futbollit të Shqipërisë për të parë sesi të shkohet tutje.

“Më vjen shumë keq për vërshëllimat. Nuk e di, pasi kam kontratë deri në nëntor dhe më pas do të ulemi të flasim me presidentin. Do të diskutojmë dhe do të gjejmë zgjidhje për të ardhmen. Unë mendoj se kemi bërë një punë të mirë gjatë kësaj kohe, duke dhuruar edhe paraqitje të mira, por në kohët e fundit nuk kemi dhënë atë që mundeshim, këtu përfshij edhe veten time. Kemi pasur shumë mungesa dhe nuk kemi qenë aty ku duhet. Megjithatë t’i lëmë justifikimet, pasi kemi aktivizuar shumë të rinj, funksionalë për skuadrën dhe lojën e saj”, deklaroi ai.

Lajme të ngjashme