Real Madridi ndihet i “mos respektuar” nga organizuesit e Topit të Artë
Real Madridi nuk do të jetë i pranishëm në ceremoninë e Topit të Artë në Paris shkaku që ndihen jo të respektuar nga organizuesit .
“Los Blancos” kanë mbetur të shokuar pasi Vinicius Junior nuk do ta fitojë Topin e Artë, por ylli i Manchester Cityt Rodri.
“RMC Sport” raporton se kampioni i Spanjës beson se janë mos respektuar nga organizuesit e Topit të Artë, France Football si dhe UEFA. Ata besojnë se nëse Vinicius nuk i ka plotësuar kriteret për ta fituar çmimin, atëherë atë duhet ta fitojë mbrojtësi Dani Carvajal.
Përpos mospjesëmarrjes në ceremoni, edhe Real Madrid TV që kishte përgatitur një program prej pesë orëve ka vendosur ta anulojë.
Kësisoj, madrilenët kanë vendosur që askush nga klubi të mos udhëtojë për në Francë, përfshirë edhe lojtarët si Vinicius, Jude Bellingham dhe Dani Carvajal, presidenti Florentino Perez dhe trajneri Carlo Ancelotti.
Ndërkohë, trajneri Luis de la Fuente pritet ta fitojë çmimin “Trajneri më i mirë i vitit” para teknikut italian.
Kujtojmë, ceremonia do të nis me fillim nga ora 20:45.