Real Madridi ia 'gërdit' Gironës, vazhdon e vetme në krye të LaLigës
Real Madridi e ka nënshtruar Gironën në ndeshjen mes dy skuadrave të para në La Liga, duke triumfuar me rezultat 4:0.
Skuadra e Carlo Ancelottit ishte krejtësisht në tjetër nivel me befasinë e këndshme të këtij sezoni, Gironan. Këta të fundit nuk krijuan as edhe një rast të vetëm në drejtim të portës.
Epërsinë e hershme Real Madridit ia dhuroi Vinicius Junior në minutën e gjashtë, i asistuar nga Valverde.
Deri në fund të pjesës së parë Mbretërit shënuan edhe një herë. Kësaj radhe shënoi lojtari më në formë, Jude Bellingham, ndërkaq në rolin e asistuesit ishte Vinicius Junior.
Me rezultatin 2:0 u mbyll pjesa e parë e takimit në Santiago Bernabeu.
Nëntë minuta pasi filloi pjesa e dytë, Bellingham shënoi edhe golin e dytë personal në këtë takim, për rezultatin 3:0.
Teksa vetëm shtatë minuta më vonë, më saktësisht, në minutën e 61-të, Rodrygo me asistin e Vinicius Junior shënoi për epilogun final 4:0.
Real Madridi me këtë fitore largohet nga Girona për pesë pikë, që është ndjekësi më i afërt i Mbretërve këtë sezon.