Real Madridi e "shpartallon" Espanyolin
Real Madridi ka shënuar fitore bindëse në shtëpi ndaj Espanyolit, duke bërë një rikthim fantastik, në kuadër të xhiros së gjashtë në La Liga.
Edhe pse e nisën me disavantazh 0:1, “Los Blancos” u këndellen për të fituar me rezultat 4:1 në “Santiago Bernabeu”.
Pjesa e parë përfundoi ashtu siç nisi ngase asnjëra skuadër nuk i finalizoi rastet, me Realin që ishte më e rrezikshme por që Espanyol u mbrojt për mrekulli.
Ishte Thibout Courtois që shënoi një autogol në përpjekje për ta devijuar gjuajtjen e kundërshtarit që kaloi Espanyolin befasisht në epërsi (54’).
Sidoqoftë, gëzimi i klubit nga Barcelona zgjati katër minuta. Jude Bellingham asistoi për mrekulli te Dani Carvajal i cili e barazoi rezultatin.
Me inkuadrimin e Vinicius Junior pastaj ndryshoi krejtësisht loja e Realit. Braziliani e vendosi Rodrygon për mrekulli para portierit dhe lehtësisht shënoi për ta përmbysur rezultatin (75’).
Vetëm tre minuta më vonë, Vini mori një asistim nga Kylian Mbappe për ta vulosur fitoren (78’).
Krejt në fund, Endrick fitoi edhe një penallti meqenëse u faullua brenda zonës, të cilën e konkretizoi Kylian Mbappe (90’).
Me këtë fitore, Reali renditet në pozitën e dytë me 14 pikë, një më pak se Barcelona që ka edhe një ndeshje më pak të zhvilluar derisa Espanyol zë pozitën e 13-të me shtatë sosh.