Real Madridi e mposht Sevillën dhe vazhdon mbretërimin në La Liga
Kampioni në fuqi i Spanjës, Real Madridi ka shënuar një fitore shumë të rëndësishme, duke mposhtur në shtëpi Sevillën me rezultat 3:1, kështu duke vazhduar mbretërimin në La Liga, tani me gjashtë pikë më shumë se Barcelona, por që këta të fundit kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.
Tani mbretërit shkojnë në fitoren e 10-të në këtë sezon në elitën e futbollin spanjoll, krahas edhe një barazimi dhe mbetet skuadra e vetme në ligë që ende nuk ka pësuar humbje në 11 ndeshjet e para.
Epërsinë e hershme Realit ia dha kapiteni i skuadrës, Luka Modric, i cili shënoi në golin bosh pas një asistimi shumë të bukur nga Vinicius Junior në minutën e pestë.
Me rezultatin 1:0, skuadrat shkuan në pushimin mes dy pjesëve, për t’u kthyer në 45 minutëshin e fundit për të dhuruar edhe tre gola tjerë.
Fillimisht Sevilla në minutën e 54-të barazoi në 1:1 me anë të Erik Lamelas, pas asistimit të Monitel.
Për kthimin e epërsisë për mbretërit u përkujdes Lucas Vasquez, i cili në minutën e 79-të shënoi për 2:1 dhe sërish asistues ishte braziliani Vinicius.
Ndërsa për golin e sigurisë dhe të fitores u përkujdes lojtari më në formë aktualisht, Federico Valverde, dy minuta më vonë për 3:1, që ishte rezultati përfundimtar i takimit.
Sevilla nuk e ka filluar aspak mirë këtë sezon dhe kjo humbje e dërgon akoma në gjendje më të keqe.
Ata në 11 ndeshje të zhvilluara kanë fituar vetëm dy takime duke barazuar në katër dhe humbur pesë të tjera, duke u gjendur në pozitën e 14-të në tabelë me 10 pikë, aq sa ka edhe Celta Vigo në një pozitë më poshtë, e cila ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Real Madrid tani udhëton në Gjermani për t’u përballuar me Leipzig në kuadër të Ligës së Kampionëve, garë në të cilën tashmë ka siguruar kalimin tutje në fazën e eliminimit direkt.