Real Madrid synon transferimin shokues të Phil Fodenit
Përpos ardhjeve të Kylian Mbappes dhe Alphonso Davies, Real Madrid është duke tentuar edhe transferimin shokues të yllit së Manchester Cityt Phil Foden.
Anglezi ka qenë mahnitës te “Qytetarët” sidomos në mungesë të Kevin de Bruynes, mirëpo sapo belgu është rikthyer – janë zbritur gjasat që të jetë më titullar i padiskutueshëm.
Kësisoj, mediumi spanjoll “Defensa Central” raporton se Real Madrid është duke punuar fortë për ta siguruar Fodenin këtë verë, mirëpo prioriteti kryesor mbetet Kylian Mbappe i PSG-së.
Drejtori Juni Calafat është bindur nga talenti i anglezit dhe e sheh 23-vjeçarin si ylli i radhës që do të shkëlqejë në “Santiago Bernabeu”.
Por kuptohet, një transferim i mundshëm nuk do të jetë aspak i lirë. Në “Transfermarkt”, Foden vlerësohet rreth 100 milionë euro por duhet shumë më shumë për ta bindur Man Cityn që ta shesë në afatin veror.
Mirëpo, nuk është e pamundur shkaku që Man City ndër vite ka dëshmuar se nuk do të mbajë asnjë lojtarë që nuk dëshiron të qëndrojë në klub, siç ishin rastet e Raheem Sterling, Leroy Sane e Riyad Mahrez.
Në rast që pranon t’i bashkohet Realit, Foden nuk do ta ketë vendin e garantuar meqenëse ka shumë yje si Rodrygo e Vinicius Junior, derisa në verë do t’iu bashkohen edhe dyshja Mbappe dhe Endrick.
Foden së fundmi është në vëmendjen e të gjithëve në Angli, pasi Guardiola e vlerësoi si lojtarin më të mirë në kampionatin anglez.