Real Madrid "shpartallon" Celta Vigon, merr kreun e La Liga-s
Real Madrid ka shënuar fitore të thellë në udhëtim te Celta Vigo, në kuadër të xhiros së dytë në La Liga.
"Los Blancos" fituan me rezultat bindës 1:4, duke shënuar fitoren e dytë në kampionatin spanjoll.
Ishte sulmuesi Karim Benzema që kaloi Realin në epërsi duke shënuar nga pika e bardhë pasi VAR-i akordoi penallti nga një prekje e topit me dorë e Tapia (14') – VIDEO.
10 minuta më vonë, u akordua një tjetër penallti këtë herë për Celtan pasi Eder Militao gjithashtu preku topin me dorë dhe nga 11-metërshi ishte shumë i saktë Iago Aspas (24') – VIDEO.
Real Madrid arriti pastaj ta rikthejë epërsinë përmes një eurogoli të mesfushorit Luka Modric që la të shtangur portierin me një super goditje nga distanca (41'), rezultat me të cilin përfundoi kjo pjesë - VIDEO.
Në pjesën e dytë, "Los Blancos" ishin një skuadër tjetër duke dominuar në të gjitha aspektet.
Fillimisht, nga një kundëraksion i shpejtë Modric asistoi për mrekulli për Vinicius Junior, i cili e dribloi edhe portierin dhe e dërgoi topin në rrjetë (56') – VIDEO.
Ndërsa, për golin e katërt te gjiganti madrilen u përkujdes mesfushori Fede Valverde me një goditje të bukur brenda zonës pas asistimit të Vinicius (66') - VIDEO.
Eden Hazard kishte rastin e artë të vuloste fitoren, por që dështoi nga pika e bardhë e topin e kthyer nuk e dërgoi në rrjetë as Benzema, me Marchesin që bëri dy super pritje.
Kështu, gjiganti madrilen merr kreun e La Liga-s me gjashtë pikë të mbledhura, derisa Celta renditët në pozitën e 14-të në tabelë me një sosh.
Në xhiron e radhës, Real Madrid do të jetë mysafir i Espanyol, derisa Celta do t'i shkojë skuadrës së sapo promovuar, Girona.