Real Madrid kurorëzohet kampione e Evropës: Mbretërit e fitojnë titullin e 15-të në Ligë të Kampionëve - NACIONALE

Real Madrid kurorëzohet kampione e Evropës: Mbretërit e fitojnë titullin e 15-të në Ligë të Kampionëve

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Real Madrid është kampione e Evropës për herë të 15-të në histori të klubit, pasi triumfoi 2:0 ndaj Borussia Dortmundit në finale të Ligës së Kampionëve.

Një finale e jashtëzakonshme u zhvillua në Wembley të Londrës, ku Dortmund luajti një pjesë të parë fantastike, duke krijuar shumë raste të rrezikshme, ndërsa Real Madrid tregoi dhëmbët në pjesën e dytë, për të treguar edhe një herë, që kjo skuadër nuk i luan finalet, por i fiton ato.

45 minutat e para të takimit përfunduan pa gola, përkundër disa rasteve të mira, me Adeymin e Fullkrug që patën mundësitë e tyre, por Thibaut Courtois e bëri heroin.

Pjesa e dytë i takoi Mbretërve. Me përvojën e duhur, ata treguan se pse kanë fituar deri më tani 14-të tituj në garën më të fortë evropiane për klube.

Skuadra e Carlo Ancelottit shënoi dy gola në 20 minutat e fundit të takimit, për t'u kurorëzuar kampione.

Ishte fillimisht Dani Carvajal që shënoi gol të bukur me kokë, pas harkimit nga Toni Kroos në minutën e 74-të, për rezultatin 1:0.

Vetëm nëntë minuta më vonë, Vinicius Junior realizoi qetësisht për 2:0, kur Jude Bellingham asistoi për të, për ta lënë ballë për ballë me portierin.

Dortmundi arriti ta shënonte një gol dy minuta para fundit të takimit, por u anulua për pozitë jashtë loje.

Kështu, Real Madridi në fund triumfoi 2:0 ndaj Dortmundit, për ta fituar titullin e 15-të në histori të klubit në Ligë të Kampionëve.

Lajme të ngjashme