Real Madrid dhe Bayern Munich pajtohen për çmimin e Davies, marrëveshja pranë
Real Madrid dhe Bayern Munich raportohet se në parim janë pajtuar që transferimi i mbrojtësit Alphonso Davies të kushtojë 50 milionë euro.
Ylli kanadez javën e kaluar arriti marrëveshje me gjigantin madrilen, duke iu dhënë fjalën se do t’iu bashkohet ose në verë, ose do të pres deri në vitin 2025 që ta realizojë transferimin si agjent i lirë.
Bayern Munich pavarësisht që po bën përpjekje t’ia rinovojë kontratën, nuk do ta lejojë t’iu ikë falas andaj në rast që s’arrijnë ta bindin në muajt e ardhshëm do ta shesin në verë.
“La Ser” raporton se Real Madridi dhe Bayern Munich kanë një marrëveshje në parim për vlerën e Davies. Klubi gjerman është pajtuar që ta pranojë ofertën e Realit në vlerën e 50 milionë eurove.
Raporti shton se Reali fillimisht kishte bërë gati një ofertë prej 35 milionë eurove plus bonuset, mirëpo tani janë të gatshëm ta rrisin në 50 milionë euro që të kënaq kërkesat e “Bavarezzëve”.
Real Madrid është fokusuar që ta kompletojë sa më parë marrëveshjen edhe me Bayernin, në mënyrë që të mos ketë ndonjë pengesë të papritur, pasi edhe klubet angleze si Chelsea dhe Man City janë duke vëzhguar situatën, përfshirë edhe rivalin Barcelona.
Me ardhjen e mundshme të Davies, Reali do të ketë tre mbrojtës të krahut të majtë, andaj më shumë gjasë Fran Garcia do të jetë i ‘sakrifikuari’ dhe mund të shitet në afatin kalimtar veror.
Trajneri Carlo Ancelotti ka deklaruar disa herë se është shumë i kënaqur me punën defansive që bën Ferland Mendy, prandaj francezi pritet të garojë me Davies për vendin në pozitën titullare.