Reagimet pas El Clasicos: Xavi e priste një Real më të fortë, Ancelotti e merr përgjegjësinë
Trajneri i Barcelonës, Xavi, nuk e ka fshehur gëzimin e madh për triumfin e skuadrës së tij 4:0 kundër Real Madridit të dielën, ndërkohë që homologu i tij Carlo Ancelotti e mori përgjegjësinë.
Pierre-Emerick Aubameyang me dy gola në debutimin e tij në El Clasico dhe Ronald Araujo dhe Ferran Torres me nga një gol i ndihmuan Barcelonës ta shënojë njërën prej fitoreve më të thella kundër Real Madridit në Santiago Bernabeu.
Nuk ishte thjesht një fitore për skuadrën e Xavit, por një mbizotërim i plotë pothuajse nga fillimi deri në fund në tokën madrilene.
“Nuk kemi përjetuar shumë gëzime së fundmi, veçanërisht në El Clasico dhe përveç që jam trajner i Braçës, unë jam edhe cule (tifoz i Braçës). Do ta festojmë këtë fitore, nuk ka dyshim, tani do ta kemi një pushim për ta shijuar”, tha Xavi pas ndeshjes.
Ish-mesfushori katalonas nuk e kishte pritur një fitore kaq të thellë në Bernabeu.
“Është e vështirë të fitosh 4:0 në Bernabeu, duhet ta shijojmë. Kemi punuar shumë për këtë por nuk prisnim të fitonim kaq bindshëm këtu. Prisnim lojë më të hapur”, shtoi ai.
Ancelotti, ndërkohë, ishte dukshëm i zhgënjyer dhe e mori përgjegjësinë për humbjen mbi super e veta.
“Është e vështirë sepse është El Clasico, për tifozët kur luajmë kundër Braçës, është një goditje. E kemi humbur një betejë dhe duhet të jemi të qetë dhe t’i rikthejmë lojtarët tanë të lënduar”, tha Ancelotti pas ndeshjes.
Realit i mungoi sulmuesi kryesor Karim Benzema për shkak të një lëndimi dhe skuadra e Ancelottit nuk pati zgjidhje për lojën e rivalit.
“Nuk ishim vetja, çdo gjë shkoi keq, duhet ta harrojmë këtë dhe të ecim përpara, e kemi një epërsi të madhe në [La Liga]. Unë, si trajner, kam faj”, shtoi ai.
Pavarësisht turpërimit të dielën, Real Madridi mbetet lider i La Ligës me 66 pikë, nëntë pikë më shumë se vendi i dytë Sevilla.
Barcelona, për të cilën kjo ishte fitorja e gjashtë rresht në ligë, është në vendin e tretë me 54 pikë dhe një ndeshje më pak të zhvilluar se dy të parët.