RB Leipzig e nënshtron Bayern Munichun, titulli në duart e Dortmundit
Bayern Munich ka bërë gabimin e madh në garën për titull duke pësuar humbje në shtëpi nga RB Leipzigu, në kuadër të xhiros së 33-të në Bundesliga.
“Bavarezzët” u mposhten me përmbysje nga 1:0 në 1:2, duke e lënë titullin e kampionatit gjerman tani në duart e Borussia Dortmundit.
Thomas Muller pas 25 minutave lojë dhuroi një asistim fantastik te Serge Gnabry, i cili me një goditje fantastik kaloi Bayenrin në epërsi (25’).
Bayern vazhdoi të dominojë duke gjetur edhe një herë rrugën drejtë portës, por që u anulua nga VAR-i.
Të dy skuadrat gjermane patën disa mundësi shënimi deri në fundin e pjesës së parë, mirëpo fatkeqësisht asnjëra nuk i finalizoi.
RB Leipzig u këndell në pjesën e dytë, duke barazuar fillimisht me anë të Konrad Laimer që shënoi me një gjuajtje nga distanca (65’).
Tutje, Benjamin Pavard shkaktoi një 11-metërsh me një ndërhyrje të rëndë, ku nga aty i pagabueshëm ishte Christopher Nkunku që përmbysi rezultatin.
Fitoren e mysafirëve e vulosi Dominik Szoboszlai sërish nga penalltia, pasi këtë herë e kishte shkaktuar mbrojtësi tjetër Noussair Mazraoui.
Bayern Munich vazhdon të jetë lider me 68 pikë, një më pak se Dortmundi që ka një ndeshje më pak të zhvilluar derisa RB Leipzig edhe matematikisht siguron inkuadrimin në Ligën e Kampionëve pasi renditet e treta me 63 sosh.
Tani Dortmund ka rastin e artë t’i jep fund këtij dominimi të Bayernit që një dekadë, pasi i nevojiten dy fitore në dy xhirot e fundit që të shpallen kampion.
“Verdhëzinjtë” fillimisht nesër përballen me Augsburgun e pastaj më 27 maj do ta kërkojnë titullin e parë pas një dekade si nikoqir i Mainzit.