Rapid Bukureshti e Hertha Berlin në garë për Mustafë Abdullahun - NACIONALE

Rapid Bukureshti e Hertha Berlin në garë për Mustafë Abdullahun

2 vjet më parë

nga Edonis Bytyqi

Rapid Bukureshti dhe klubi gjerman Hertha Berlin janë ndër dy klubet më të interesuara për portierin Mustafë Abdullahu.

“Gardiani” i Tiranës po vazhdon të mahnitë në kampionatin shqiptar me paraqitje fantastike, ku kësisoj edhe po kërkohet nga klube të mëdha evropiane.

Gazeta Nacionale me burime merr vesh se dy klubet më të interesuara deri më tani për portierin e Kosovës U21 janë Rapid Bukureshti dhe Hertha Berlin.

Si rumunët ashtu edhe gjermanët kanë shprehur interesim konkret, megjithatë marrëveshja nuk do të jetë aspak e lehtë për t’u arritur me skuadrën e Tiranës.

Për dallim nga shitja e lojtarëve si Florent Hasani e Taulant Seferi, Tirana është më “dorështrënguar” për Abdullahun pasi dëshiron të vendosë një rekord historik, duke kërkuar hiq më pak se 1 milion euro.

Disa nga klubet e interesuara kanë shprehur gatishmëri të paguajnë deri në 600 mijë euro për 19-vjeçarin, megjithatë është ende larg kërkesave të skuadrës shqiptare.

Abdullahu këtë sezon te Tirana në Superligën shqiptare ka bërë gjashtë paraqitje, duke mbajtur një herë portën e paprekur.

Përndryshe, falë paraqitjeve të mira edhe mori ftesë nga kombëtarja e Kosovës U21, ku debutoi në fitoren ndaj Izraelit U21, me përzgjedhësin Afrim Tovërlani që e inkuadroi në pjesën e dytë.

Lajme të ngjashme