Rabiot thotë se penalltia e dytë e Anglisë nuk ekzistoi dhe ishte drejtësi huqja e saj
Mesfushori i Francës, Adrien Rabiot, beson se drejtësia u vendos kur Harry Kane humbi një penallti për Anglinë gjashtë minuta para përfundimit të kohës së rregullt, në humbjen e tyre në çerekfinale kundër Francës, pasi mesfushori beson se goditja nga pika e bardhë nuk duhet të ishte dhënë kurrë.
Franca kaloi dy herë në epërsi në stadiumin Al Bayt përmes Aurelien Tchouameni dhe Olivier Giroud, por fillimisht tre luanët barazuan një herë nga një penallti e Kane dhe Anglia pati një tjetër mundësi për të barazuar kur Theo Hernandez u gjykua se kishte ndërhyrë në Mason Mount.
Megjithatë, Kane goditi fort edhe kësaj radhe por goditja e tij shkoi lart mbi portë.
Rabiot ka pranuar se ishte 'i lumtur' që Kane humbi objektivin, por nuk ishte i bindur se duhej t'i jepej mundësia për të shënuar që në radhë të parë.

“Së pari, nuk jam i sigurt se ishte me të vërtetë faull. Ne kemi parë qindra veprime të tilla që nuk janë dhënë”, u tha Rabiot gazetarëve.
“Mendova se gjykimi ishte paksa i anuar në disa situata sonte, por ne nuk do të merremi me këtë. Sigurisht, kur ai e humbi, ne u gëzuam, ishte drejtësi sepse nuk kishte penallti.”

Rabiot ishte i pakënaqur për atë vendim të penalltisë, por pati një sërë thirrjesh të tjera të diskutueshme nga gjyqtari brazilian Wilton Sampaio që dukej se ishin në favor të Francës.
Sampaio vazhdoi lojën pasi Bukayo Saka u duk se u ndalua nga Dayot Upamecano në ndërtimin e golit të Tchouamenit në pjesën e parë.

Anglisë iu mohua edhe një penallti tjetër para pushimit kur Kane u rrëzua pas një ndërhyrje të ngathët nga Upamecano.
Rabiot pranoi se skuadra e tij kishte fat në këtë ndeshje, por ishte i kënaqur që shkuan në gjysmëfinale pasi Franca kërkon të mbrojë titullin që fitoi katër vjet më parë në Rusi.

"Ndonjëherë ju duhet edhe ai pak fat, e sukses. E patëm sonte, gjithçka u bashkua. Ne jemi vërtet krenarë që arritëm në gjysmëfinale në këtë mënyrë”, shtoi ai.

