PSG përgatitet për “jetën pa Mbappen”, ia mësyn yllit të Liverpoolit - NACIONALE

PSG përgatitet për “jetën pa Mbappen”, ia mësyn yllit të Liverpoolit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Paris Saint-Germain e ka bërë prioritet transferimin e sulmuesit të Liverpoolit Luis Diaz, si zëvendësuesi i Kylian Mbappes që pritet ta kompletojë transferimin te Real Madrid.

Pavarësisht emrave të shumtë në sulm si Ousmane Dembele, Gonçalo Ramos, Marco Asensio, Kolo Muani ose Bradley Barcola, PSG do të tentojë të përforcohet edhe më shumë që ta harrojnë Mbappen.

“Foot Mercato” raporton se drejtuesit nga Katari e shohin Diaz si lojtari adekuat për të zëvendësuar yllin francez.

Duke marrë parasysh edhe largimin e Jurgen Kloppit, PSG beson se mund ta bind lehtë lojtarin për të ardhur në “Parkun e Princave”, pavarësisht që ka kontratë me “Reds” deri më 2027.

Raporti shton se agjenti i Diazit Raul Pais Da Costa ka qenë në kontakte me drejtuesit e PSG-së andaj marrëveshja personale nuk do të jetë problem që të arrihet.

Diaz është duke shkëlqyer te Liverpool, ku vlerësohet lartë për kontributin që bën në fushë, sidomos me driblime të sakta dhe që nuk e ka problem edhe të ndihmojë në aspektin defansiv.

Liverpool do të kërkojë afro 100 milionë euro për ta liruar Diazin, vlerë të cilën PSG nuk do të hezitonte ta paguante pasi e ka kursyer nga bonuset që i ktheu Mbappe për të qëndruar këtë sezon.

Përndryshe, PSG tani po synon ta fitojë Ligën e Kampionëve ku kanë mbërritur në çerekfinale dhe përballen me Barcelonën.

Lajme të ngjashme