PSG kthehet te fitorja, triumfon ndaj Toulouse
Paris Saint-German ka shënuar fitore në udhëtim te Toulouse me rezultat komod 0:3, në kuadër të xhiros së pestë në Ligue 1.
"Parisienët" ishin shumë më të mirë se vendasit dhe me plotë meritë arkëtuan pikët e plota.
PSG u tregua shumë e rrezikshme qysh nga minutat e parë duke pasur disa raste të arta përmes Kylian Mbappe e Lionel Messi, por asnjëra prej tyre nuk u finalizua.
Ishte Neymar që gjeti rrugën drejtë rrjetës me një gol të bukur nga afërsia, pas një aksioni shumë të shpejtë me Mbappe te Messi, e këtë të fundit për brazilianin (37').
Një rast i dyshimtë ishte disa minuta pa përfunduar pjesa e parë, ku Mbappe u faullua brenda zonës, sidoqoftë ashtu nuk mendoi arbitri që nuk lejoi 11-metërsh.
Kështu, duke mos pasur më shumë raste, epilogu i kësaj pjese doli të jetë 1:0.
Në pjesën e dytë, Messi ishte shumë pranë të realizonte një eurogol nga gjuajtja e lirë duke gjuajtur në korner të portës, mirëpo që goditja e argjentinasit u ndal nga portieri Maxime Dupe.
Sidoqoftë, vetëm disa sekonda më vonë nga një aksion i shpejtë, Messi pranoi një top të shkëlqyer nga Verratti dhe asistoi për Kylian Mbappen, që realizoi lehtësisht nga afërsia (50').
PSG kishte edhe disa raste të tjera shënimi dhe fitoren e vulosi mbrojtësi Juan Bernat në çastet e fundit duke realizuar pas një topi të kthyer (90+3').
Kështu, PSG arkëton pikët e plota dhe mban kreun me 13 pikë të mbledhura, derisa Toulouse qëndron në pozitën e 13-të me shtatë sosh.
Në xhiron e radhës, PSG do të ketë përballë Nantesin, derisa Toulouse do të udhëtojë për ndeshjen ndaj Clermontit të Elbasan Rashanit.