PSG-ja e fal shpejt Messin, argjentinasi titullar kundër Ajaccios
Lionel Messi do të luajë titullar për Paris Saint-Germainin kundër Ajaccios të shtunën, një javë pasi klubi e kishte pezulluar për udhëtim pa leje jashtë vendit.
Trajneri i PSG-së, Christophe Galtier, njoftoi të premten në një konferencë për media se argjentinasi do të luajë nga fillimi nesër mbrëma.
Në stërvitjen e së premtes, Messi ushtroi përkrah Kylian Mbappes dhe Ekitikes, pak ditë pasi u rikthye para kohe në stërvitje nga pezullimi 15-ditor.
📄🆗 Le groupe parisien pour la réception de l'AC Ajaccio ce samedi au Parc des Princes.#PSGACA I #Ligue1
— Paris Saint-Germain (@PSG_inside) May 12, 2023
PSG-ja e pezulloi 35-vjeçarin për dy javë pa pagesë në fillim të javës së kaluar, por vendosi ta lejojë të kthehet në stërvitje menjëherë të hënë pasuese, pasi e pa se u pendua për veprimin e bërë.
Ai mungoi në fitoren e PSG-së 3:1 kundër Troyes në Ligue 1 të dielën e kaluar, por do të jetë i gatshëm për ndeshjen e radhës të shtunën kundër Ajaccios.
Messi do të rikthehet në ekipin e parë të trajnerit Christophe Galtier me shpresën për t’i ndihmuar PSG-së ta fitojë titullin, pasi ka një epërsi prej gjashtë pikëve ndaj Lens kur kanë mbetur vetëm edhe katër ndeshje deri në fund të sezonit.
Messi, bashkëshortja e tij Antonela Roccuzzo dhe fëmijët e tyre, udhëtuan drejt Arabisë Saudite të hënën e kaluar në kuadër të rolit të argjentinasit për ta promovuar vendin e Lindjes së Mesme.
Ata u fotografuan duke e shijuar kohën në kryeqytetin Riad dhe në Diriah.
Lojtarët e PSG-së e kishin pushim të hënën e kaluar sipas orarit, por pasi u mposhtën 3:1 nga Lorienti një ditë më herët, trajneri Galtier i urdhëroi ata të dalë në stërvitje ditën e pushimit.
Messi, megjithatë, ishte tashmë rrugës drejt Arabisë Saudite – një vend në të cilin ai mund të luajë së shpejti – dhe nuk ishte në gjendje të kthehej.
Për shkak se udhëtimi i tij nuk ishte aprovuar nga Galtier apo drejtori sportiv Luis Campos, PSG-ja e pezulloi Messin për 15 ditë pa pagesë.
Të premten, Messi i kërkoi falje klubit dhe bashkëlojtarëve që mungoi në stërvitje, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Kontrata e tij me klubin do të mbarojë në fund të këtij sezoni dhe besohet se Messi do të largohet nga PSG-ja në verë si lojtar i lirë.
