PSG-ja e dëshiron Bernardo Silvan për ta zëvendësuar Messin
Paris Saint-Germain, po e synon Bernardo Silvan për të nënshkruar këtë verë si zëvendësim për Lionel Messin, në tentim për të rindërtuar sulmin, pasi argjentinasi me shumë gjasë do të largohet pasi t’i skadojë kontrata në verë.
Me Messin që raportohet vazhdimisht se po largohet nga Parku i Princave, PSG pritet të zhytet në tregun e transferimeve në kërkim të një sulmuesi të ri të krahut të djathtë dhe Silva është objektivi i tyre kryesor, siç konfirmon GOAL. Ylli i Manchester Cityt ka qenë prej kohësh i hapur për dëshirën e tij për t'u larguar nga klubi për një përvojë të re, edhe pse një lëvizje ende nuk është realizuar.

Kjo nuk është hera e parë që Silva lidhet me klubin francez. Mesfushori sulmues kishte një marrëveshje me PSG-në verën e kaluar, dhe gjithashtu ka thënë plot lëvdata për Ligue 1 pas kohës së tij me Monacon. Megjithatë, një lëvizje nuk u materializua kurrë për shkak të komplikimeve financiare për klubin parisien. Silva ka bërë 33 paraqitje në Premierligë këtë sezon për qytetarët, me skuadrën që është afër një suksesi të madh, triumfin e trefishtë (Premierligë, Ligë e Kampionëve dhe FA Kupë).

PSG thuhet se është në garë për një mori emrash këtë verë. Liderët e Ligue 1 pritet të dërgojnë ofertat zyrtare për yjet e Francës, Randal Kolo Muani dhe Marcus Thuram në atë që mund të jetë një afat i transferimeve i ngarkuar. Drejtori sportiv, Luis Campos, thuhet gjithashtu se është pas një qendërmbrojtësi dhe mesfushor me këmbë të majtë.

Silva ka të ngjarë të paraqitet për Cityn këtë mesjavë, pasi ata do të përballen me Real Madridin në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve të mërkurën. PSG, ndërkohë, është në prag të fitimit të titullit të 11-të të Ligue 1.

