Pse Katarit i kanë mbaruar kërkim faljet për shkeljen e të drejtave të njeriut - NACIONALE

Pse Katarit i kanë mbaruar kërkim faljet për shkeljen e të drejtave të njeriut

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Derisa Kupa e Botës po futet në muajt final, arsyeja e vërtetë pse vendi nikoqir deshi të organizonte këtë kompeticion, është qartësuar.

"Tubacione. Keni nevojë për to. I kam këtu". Fjalë nga Nasser Al Khater, shefi ekzekutiv i Katar 2022, teksa foli në Doha, të enjten në mëngjes, përkthen Nacionale nga 'The Guardian'.

Mirëpo, kjo nuk është e saktë. Në fakt, diçka të tillë thotë një diller i kokainës në serialin 'The Wire', gjatë një sekuence kur policia e Baltimorit eksperimenton duke dekriminalizuar drogën në një lagje të braktisur. Varësia arrin kulmin e kulmit. Dillerët e qytetit krijojnë vizionin e tyre të ferrit sipërmarrës.

Dhe të gjithë marrin një leksion nga komoditeti i kapitalizmit.

Duke iu përgjigjur disa shqetësimeve për të drejtat e LGBTQ+ nga Gareth Southgate, Al Khater u shpreh: "Dikush me ndikim si Southgate, dikush me një audiencë të madhe që dëgjohet kur flet, duhet t'i zgjedhë fjalët me shumë kujdes".

Al Khater vazhdoi tutje për të lënë të nënkuptohet se Southgate ishte injorant dhe se ai kishte dështuar të hetonte si duhet problematikat e ngritura. Dhe mesazhi ishte kristal i pastër.

Më vonë po atë ditë, Hassan Al-Thawadi, Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Suprem për Performancë dhe Lavdi të Katarit 2022, i tha presidentes së Federatës Norvegjeze të Futbollit, Lise Klaveness, ta "edukonte veten", para se të shprehte shqetësime morale për një Kupë të Botës prokuruar nëpërmjet një komiteti të FIFA-s të mbushur me individë të korruptuar. Sa për të plotësuar paragrafin, Klaveness nuk do të ishte legjitime të ishte presidente e asgjëje në Katar, pasi është homoseksuale dhe, kështu, pjestare e një "klase kriminale". Kështu që, po. Edukim. Klas i vërtetë, apo jo?

Por një gjë duket e qartë derisa ka filluar njehësimi i ditëve, para eventit më gjigant të futbollit në rruzull.

Ka pasur një ndryshim të disponimit gjeneral. Katarit i kanë mbaruar kërkim faljet. Tash ka marrë rolin e alfas, duke treguar muskujt e qafës, teksa po u bën paradë stadiumeve glamuroze të sapo ndërtuara. Nuk është e vështirë ta kuptojmë pse po ndodhë kjo. Dhe pse kjo, me shumë gjasë, është një gjë e mirë, ose të paktën pak më e përafërt me të vërtetën e këtij episodi të jashtëzakonshëm.

Pse ky ndryshim disponimi? Epo, Katari po kalon nëpër një momentum absolutisht triumfues. Përgatitjet për Kupën e Botës kanë përfunduar. Çmimet e gazit janë rritur. Lufta në Evropë po i bën pelegrinët e përditshëm të heqin kapelet e tyre dhe të shtrëngojnë duart mbi çmimet e naftës. Në nëntorin e kaluar, Boris Johnson po fliste me Amir Sheikh Tamim bin Hamad al-Thani në asamblenë e Kombeve të Bashkuara, për t'u bërë furnizuesi më i ri i gazit i Britanisë së Madhe.

Kjo është gjë e turbullt. Bojkote? Protesta? Të bëhemi të sinqertë, askush nuk do të thotë asnjë fjalë. Në rregull, ndoshta përveç Norvegjisë, që ka karbon të mjaftueshme. Të tjerët, duhet t'i mbajnë sytë katër mbi rezervat e gazit natyror.

Në këtë sens, gjërat janë qartësuar paksa. Për disa prej nesh të humbur në zhurmë, ka qenë sikur të shikonim një pikturë magjike të historisë. Nuk kishte kurrfarë kuptimi ajo çka ndodhi në Cyrih më 2010. Por, 12 vite më vonë, me këtë hartë aktuale gjeopolitike, gjërat kanë shumë më shumë logjikë.

Natyrisht, Katari po e organizon Kupën e Botës. Historianët tash kanë mundësinë të përdorin këto dy Kupa të Botës binjake, Rusi-Katar, si shembull praktik se si nafta dhe gazi kanë fituar fuqi, konflikt dhe pasuri rreth e qark botës; mënyra se si sporti ka qenë, jo vetëm një metaforë për këtë situatë, por gjithashtu një pjesë aktive e procesit.

Nafta organizoi dy Kupat e Botës të fundit. Nafta sapo fitoi Ligën e Kampionëve. Nafta po udhëheqë në garën për titull në Premier Ligë. Bëjnë mirë madje ta mbushin edhe topin e Kupës së Botës me gaz natyral, sa për të treguar se bëhet edhe ajo.

Kështu që, ndoshta është gjë e mirë që Katari ka vendosur të jetë i sinqertë për situatën. Ne të gjithë jemi bashkëfajtorë. Të paktën derisa ta heqim këtë varësi, derisa nafta dhe gazi të mund të zëvendësohen, ndërkohë të gjithë jemi pjesë e këtij procesi. Nga konsumatorët e shqetësuar, te jeta e çuditshme e dyfishtë e politikanëve që kërkojnë një marrëveshje, një shtrëngim duarsh, një rrugë cisternë. Por hej, është vetëm njerëzore. Në fund të fundit ka të bëjë vetëm me balancin e nevojave njerëzore.

Njerëzit e afërt me procesin për një kohë të gjatë kanë sugjeruar se arsyeja e vërtetë pse Katari dëshiroi ta organizonte Kupën e Botës ishte siguria. Ka të bëjë me moralin, bisedat e pafundme për të drejtat e punëtorëve. Por, Katari ka një prej GDP-ve më të larta për kokë banori në botë.

Pse do t’i interesonte çka mendon një pjesë e vogël e perëndimit liberal për aspektin kulturor të tij? Në realitet, kjo ka qenë për shqetësime tjera. Katari dëshiron të njihet. Katari nuk dëshiron të jetë pjesë e skenës së madhe të vëmendjes. Katari nuk do që fqinjtë të marshojnë drejt kufirit, derisa bota mundohet ta gjejë pozitën e vet në hartë. Ky objektiv është arritur dhe atë në mënyrë të lavdishme. Prej tash e tutje, Katari nuk ka nevojë të bëjë ‘djalin e mirë’.

Lajme të ngjashme