Prishtina shënon fitore në udhëtim te Malisheva, Feronikeli 74 e ndal me barazim Dritën
Janë zhvilluar edhe dy ndeshje tjera të javës së nëntë të Superligës së Kosovës, aty ku Prishtina ka shënuar fitore 3:1 ndaj Malishevës, ndërsa Drita ka barazuar pa gola me Feronikelin 74.
Prishtina ka bërë një hap para drejt pjesës së lartë të tabelës, duke shënuar fitore ndaj liderit të Superligës, Malishevës, madje duke e mposhtur në shtëpi.
Malisheva e nisi mirë takimin, pasi Drilon Hazrollaj shënoi për 1:0 në minutën e tretë, por Prishtina u kundërpërgjigj pas katër minutave me Sunday Akinbule.
Dion Gallapeni në minutat shtesë të pjesës së parë shënoi për 2:1, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë e takimit.
Në pjesën e dytë u shënua vetëm një gol.
Agon Xhaka mori karton të kuq pas dy të verdhëve dhe kjo i lehtësoi punët për kryeqytetasit, që me Leonat Vitijën shënuan për rezultatin përfundimtar 3:1.
Prishtina me këtë fitore shkon në kuotën e 16 pikëve, një më pak se Malisheva që është në krye të Superligës, por që prishtinasit kanë një ndeshje më pak.
Në ndeshjen tjetër të zhvilluar në Drenas, mes Feronikelit 74 dhe Dritës, takimi u mbyll pa gola.
Feronikeli nuk e ka nisur aspak mirë dhe janë në vendin e fundit, teksa Drita shkaktoi befasi që nuk arriti te fitorja, pasi llogaritej favorit.
Në këtë përballje nuk pati diçka për t'u veçuar veçse rasti i Hasan Hysenit krejt në minutat shtesë kur nuk arriti të shënonte në një rast të mirë.
Drita mbetet në vendin e pestë me 14 pikë, ndërsa Feronikeli e shijon pikën e dytë sot me këtë barazim.